Ishte i dënuar me 11 vite burg në mungesë për një vrasje të ndodhur në dhjetor 2010, por pavarësisht kësaj lëvizte i lirë në rrugët e Shkodrës.
Siç raporton gazetari i Ora News, Bepin Kolvataj, ish efektivi I FNSH, Ylli Ceka, është arrestuar sot nga Forcat Shqiponja të Shkodrës teksa lëvizte me një mjet në lagjen ‘Sarreq’.
Vrasja për të cilën është dënuar ish-efektivi ka ndodhur në vitin 2010, ku pas një konflikti për token ish-efektivi Ceka vrau me armën e shërbimit shtetasin Edvin Vogli.
NGJARJA
Mesditën e 11 dhjetorit 2010 në banesën e shtetasit Petrit Dajti, ka ardhur dhëndëri i tij shtetasi Julian Pushaj së bashku me shokun e tij të quajtur Edvin Vogli, ku ky i fundit do të merrte me qira njërin nga apartamentet, pronë e pronarit të tokës shtetasit Petrit Dajti. Pas njëfarë kohë aty kanë ardhur dhe dy kushërinjtë e Petrit Dajtit, shtetasit Altin Guzja dhe Gentian Kola.
Të gjithë së bashku kanë zbritur në bodrumin e pallatit për të ngritur levat e bokseve të energjisë elektrike dhe meqënëse energjia elektrike nuk ka ardhur personat e sipërpërmendur janë ngjitur përsëri lart për të hapur me forcë derën e apartamentit.
Në këtë moment janë dëgjuar zhurma dhe sharje të cilat vinin nga poshtë pallatit dhe më pas ka filluar një përleshje me vellëzërit Lulëzim e Bashkim Ceka ku fillimisht janë sharë dhe fyer dhe më pas janë goditur me njëri-tjetrin, ku Julian Pushaj ka qëlluar me lopatë njërin prej vëllezërve Ceka dhe në këtë moment ka ardhur shtetasi Ylli Ceka i cili është përfshirë në konflikt dhe ka qëlluar me një armë ku si pasojë është goditur shtetasi Edvin Vogli në kokë, duke gjetur vdekjen.