“Asnjë rast të mutacionit të COVID-19”, Tomini: Transmetueshmëria e virusit ende prezente

Shqipëria

“Asnjë rast të mutacionit të COVID-19”, Tomini: Transmetueshmëria e virusit ende prezente

Më: 1 shkurt 2021 Në ora: 16:57
Eugena Tomini

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Eugena Tomini, tha sot se “kemi rritje të lehtë të rasteve që është 209 raste për 100 mijë banorë, flasim për përhapjen javore”.

Në një intervistë televizive Tomini theksoi se “pavarësisht se është vënë re ky intensiteti i rasteve pozitive i parashikuar tashmë, pasi grumbullimet e festive, vetë sezoni i ftohtë sjell grumbullime me njëri- tjetrin , për rrjedhojë transmetueshmëria shihet që është prezente. Me Britaninë e Madhe kemi lënë një mbyllje pa afat. Monitorimi i situatës nga COVID-19 bëhet i përditshëm nga raportimet që vijnë brenda 24 orëve nga të gjitha strukturat e njësive vendore si testime, hetime epidemiologjike dhe njëkohësisht Instituti i Shëndetit Publik”.

E pyetur për vaksinën antiCovid që pritet të vijë sot Tomini tha se “vaksina pritet të vijë në orët në vijim sipas një programi të detajuar në bazë të kontratës që qeveria shqiptare ka realizuar drejtpërdrejt me Pfizer”.

“Kjo është sasia e parë e vaksinave që vjen në mbështetje të personelit shëndetësor sërish për vijimësinë e dozës së dytë e më tej, por edhe për grupin +75 vjeç që do të bëjnë një vaksinim të gërshetuar. Do të përfundojmë 5 mijë personelin shëndetësor dhe më tej do të vijohet me grupin prioritar të 75 vjeçarëve”, – tha Tomini.

Pyetjes nëse kemi ndonjë rast të koronavirusit të ri, Tomini iu përgjigj se “kemi prej disa javësh që i kemi ndërprerë fluturimet me Britaninë e Madhe , por shpërndarja e këtij mutacioni edhe në vendet e Europës nuk e përjashton  mundësinë e prezencës së mutacioneve të tjera të COVID-19”.

“Deri në këto momente laboratori i virologjisë në ISHP nuk ka detektuar asnjë devijim nga konfirmimi i diagnozës për COVID-19”, – tha Tomini.

Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës se nuk ka rritje të testimeve, pasi nuk ka mjekë epidemiologë Tomini tha se “vetëm në strukturat organizative aktuale në njësitë vendore i është flotës së tyre edhe 70 makina lëvizëse për të mbështetur gjithë fazën e pandemisë”.

“Kjo flotë lëvizëse nuk përbëhet vetëm nga shoferi, por edhe grupe të caktuar laborantësh, epidemiologësh, që janë në terren. Logjistika ka treguar që numri i epidemiologëve që janë në terren reflektohet në numrin e testimeve që aktualisht ka shkuar 4 mijë deri në 4500 testime në ditë”, -shtoi Tomini.

Duke folur për ruajtjen e vaksinave , Tomini u shpreh se “në QSUT janë dy frigoriferë të tjerë -80 në ngritje të kapaciteteve për të ruajtur vaksinën”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat