Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka shprehur ngushëllimet e saj për familjen e mjekut të ndjerë Muharrem Nonaj, i cili ndërroi jetë pas betejës me COVID-19.
Në një postim në facebook, Kryemadhi shkruan se doktor Muharremi ishte gjithmonë i papërtuar e kurdoherë pranë tyre qytetarëve për të dhënë ndihmën e tij, ndërsa thekson se ai do mbetet shembulli i qytetarit model dhe të përkushtuar.
“Nuk gjej dot fjalë, për të shprehur dhimbjen e madhe që ndjej për ndarjen nga jeta të mjekut të shquar të Skraparit, doktor Muharrem Nonaj.
Një jetë dedikuar shërbimit me përkushtim dhe ndershmëri ndaj qytetarëve, gjithmonë i papërtuar e kurdoherë pranë tyre, ai ishte modeli që të gjithë e donin dhe nderonin, e do të mbetet përherë në memorien e skraparlinjëve dhe e të gjithë atyre që e kanë njohur në qarkun e Beratit dhe më gjerë, shembulli i qytetarit model dhe të përkushtuar.
Në keto çaste dhimbjeje të madhe, unë dhe e gjithë Lëvizja Socialiste për Integrim jemi pranë familjes dhe të afërmve të doktor Muharremit; Shpresës bashkëshortes së tij dhe fëmijëve doktor Blenardit, Matildës e Arlindit, jemi pranë kolegëve të tij dhe të gjithë qytetarëve të Skraparit, të cilët doktori ynë i paharruar i deshi me gjithë shpirt dhe ju shërbeu deri në çastet e fundit të jetës.
U prehtë në paqe dhe i ndrittë shpirti!” shkruan Kryemadhi.