Për aktivistin Gjergj Bojaxhi shifra prej rreth 16.1% e të pavendosurve për zgjedhjet e 25 prillit, përmban kryesisht më shumë militantë socialistë, të cilët janë zhgënjyer nga qeverisja.
Bojaxhiu komentoi shifrat e nxjerrë nga sondazhi i parë i MRB-së për emisionin e Euronews Albania “Barometri Politik” si jo të pazakonta pasi sondazhi është përpiluar katër muaj përpara zgjedhjeve.
Bojaxhi arsyetoi se shumica vendosin duke iu afruar ditës së votimit dhe kjo mbetet për t’u parë me sondazhet e tjera. Duke analizuar situatën, Bojaxhi u shpreh se mes të pavendosurve ka edhe militantë, dhe këtu sipas tij kryesisht përfshihen militantët e Partisë Socialiste.
“Kam përshtypjen edhe me të majtën, kanë një zhgënjim me qeverisjen, dhe militantët e tyre mund të jenë të pavendosur, kryesisht për të mos dalë në zgjedhje, mes të pavendosurve besoj e majta do ta ketë si sfidë të bëjë edhe të pavendosurit e saj t’i nxjerrë në zgjedhje,” – u shpreh Bojaxhi.
Pedagogia Iris Luarasi vlerësoi gjetjet e sondazhit të MRB-së duke vijuar në analizën e saj se te pjesa e atyre që deklarohen se nuk do të votojnë – 5% e të pyeturve, – mund të përfshihen ata të pakënaqurit me udhëheqjen e Edi Ramës në qeveri, por edhe me vetë udhëheqjen e Lulzim Bashës në opozitë.
Sipas sondazhit të parë të MRB-së për Euronews Albania, nga 16.1% e të pavendosurve përbëhet 8.6% që thonë se nuk e dinë për kë mund të votojnë, 2.5% refuzojnë të përgjigjen, ndërsa 5% thonë se nuk do të votojnë.