Lidhur me ekzekutimin e 41-vjeçarit, Policia e Fierit i rikthehet ngjarjes së ndodhur pesë vite më parë, po në Fier. Atë kohë, në shënjestër të armës ishte vënë vëllai i Shkëlzen Kastratit, Kelment Kastrati, por ai mundi t’i mbijetonte këtij atentati.
Në këtë ngjarje mbeti i vrarë një prej miqve të tij Granit Kasaj. Ndërkohë, Klement Kastrati rezulton të jetë vëllai i 41-vjeçarit dhe mësohet se ka qenë i arrestuar nga Policia për gjobëvënie dhe trafik droge në Belgjikë dhe në Holandë. Atentati i 8 janarit në Mbrostar me një të vrarë dhe dy të plagosur kanë kthyer Policinë dhe Prokurorinë e Fierit në pistën fillestare, atë të hasmërisë mes fiseve Binjaku dhe Kastrati.
Burime zyrtare atë kohë thanë se shënjestër e plumbave të atentatorëve ka qenë pikërisht Klement Kastrati, i afërm i Kasajt, që u plagos me disa plumba. Në kërkim si autor për vrasjen është shpallur Ermal Binjaku, një emër shumë i njohur për Policinë, pasi është dyshuar edhe për një tjetër vrasje të anëtarëve të fisit Kastrati gjatë viteve 2000, po për hakmarrje.
Historia e hakmarrjes mes dy fiseve nis në vitet 1994-1995 me një të vrarë nga fisi Kastrati, ngjarje për të cilën u akuzua fisi Binjaku. Por të gjitha këto krime kanë mbetur pa autorë ndër vite.
Kjo derisa emri i Ermal Binjakut doli përsëri nga përgjimet telefonike dhe ambientale, ku ai flet për atentatin e Mbrostarit, te “Kthesa e Mullirit të Vjetër”, në vitin 2016.
Gjithashtu u arrestua edhe Ylli Nazëraj, 54 vjeç, nga Ballshi, për të cilin hetuesit kanë prova se e ka fshehur në magazinat e tij në “Qafën e Koshovicës” të makinës “Toyota” të autorëve, para atentatit. Gjithashtu u ka siguruar edhe mjete për kryerjen e sulmit të armatosur mbrëmjen e 8 janarit.
Nazëraj është kapur duke biseduar me Ermal Binjakun për atë krim dhe fshehjen e gjurmëve. Më herët ishte arrestuar edhe Ilir Memushaj, nga Vlora. Ky një lidhje e ngushtë miqësore me Ermal Binjakun.
Ndërsa Memushaj furnizohej me informacione nga agjenti i SHISH-it, Florian Bushi, që i dërgonte përgjimet telefonike me celular për lëvizjet e viktimës Denis Kasaj. Policia gjithashtu ka zbuluar se shumë vite më parë të gjithë të dyshuarit dhe viktimat kanë pasur lidhje shoqërore mes tyre, derisa kanë nisur mosmarrëveshjet dhe më pas vala e atentateve.