Vajza e ish-prokurorit të njohur Xhevat Hana do të kandidojë për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit.
Mësohet se ajo do të jetë kandidate për deputete në zonën e Rrajcës dhe të Prrenjasit.
Ajo u prezantua nga Balla gjatë ditës së sotme në fshatin e saj.
“Është nder për Partinë Socialiste që përfaqësuesin e vet për këtë zonë ta ketë Albanën. Është vajza e mikut të të gjithë Rrajcës, Xhevat Hanës.
Albana do të jetë pjesë e listës së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 Prillit. Ka ardhur në bazë të një procesi që ne kemi nisur duke hapur dyert e PS, jo vetëm për njerëz që militojnë brenda partisë, por edhe për njerëz me kontribute jashtë.
Në kuadër të procesit “Deputeti që duam” u krijua një derë për të dhënë kontribute, djem e vajza, burra e gra në fusha të caktuara, qofshin mjekë, mësues, sipërmarrës apo fermerë e jurist të shkëlqyer si Albana,” u shpreh Balla.
Albana Hana u ka premtuar banorëve të zonës se do të zhvillojë projekte të mëdha.
“Unë nuk jam e fushës së politikës, unë jam e fushës së projekteve. Për shumë vite jam marrë me projekte të Bashkimit Europian dhe kjo është pika më e fortë ku unë do doja të fokusoheshim, por për këtë dua besimin tuaj, dua të punojmë bashkë. Ndoshta jeni të lodhur, ndoshta keni humbur besimin tuaj, janë të gjitha të pranueshme, por gjërat duhen bërë bashkë.
Do të punojmë bashkë me projekte të ndryshme, mbi të gjitha të bashkëpunimit ndërkufitar. Kjo do jetë puna jonë. Nuk ka rëndësi çfarë kanë bërë të tjerët. Ne nuk mund ta bazojmë punën tonë duke sharë apo duke hedhur baltë, por do ta bazojmë vetëm në punën tonë. Vetëm kështu do ndryshojmë,” deklaroi ajo.
Po kush është babai i kandidates së PS-së:
Ndarja nga jeta në 5 janar 2012 të Prokurorit të Krimeve të Rënda, Xhevat Hana u shoqërua me një pikëpyetje të madhe për shkak se familjarët e tij ngritën menjëherë dyshimin se vdekja e të afërmit të tyre mund të kishte ndodhur si pasojë e një helmimi të mundshëm dhe jo për shkak të një sëmundjeje të pashërueshme siç është raportuar zyrtarisht.
Para se të transferohej nga Prokuroria e përgjithshme në fund të vitit 2007, i ndjeri Hana ishte përfaqësuesi i akuzës shqiptare për dosjen korruptive të rrugës Durrës-Kukës. Gjithashtu Hana ishte edhe prokurori i dosjes tjetër, atë të rrëmbimit, torturimit dhe zhdukjes pa gjurmë të Remzi Hoxhës, çështje që ka implikuar direkt Shërbimin sekret të viteve ‘90, të drejtuar nga Bashkim Gazidede. Madje ishte pikërishtë Hana që kërkoi ekstradimin e Ilir Kumbaros nga Anglia.
Xhevat Hana ishte një nga prokurorët më të njohur të Shqipërisë, me një karrierë të gjatë në drejtësi, për disa kohë dhe si këshilltar i presidentit Alfred Moisiu. Gjatë vitit 2011 ai qëndroi i shtruar për një kohë të gjatë në një spital publik të Tiranës, por familjarët u detyruan ta transportonin në Itali për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, ku edhe ndërroi jetë në 5 janar 2012.