Tre të arrestuarit, dy shqiptarë dhe një kroat, për trafikimin e 324 kilogramë kokainë të pastër që u konfiskua gjatë një operacion policor në qendër të Selanikut, më 30 janar, dolën sot para gjykatëspër masën e sigurisë.
Gjykata pranoi kërkesën e prokurorit, duke i lënë në paraburgim.
Për këtë rast është shpallur në kërkim një 33 vjeçar nga Kroacia, i cili arriti të shpëtojë duke u hedhur nga ballkoni i banesës.
Operacioni policor u krye pas informacionit nga autoritetet e zbatimit të ligjit në lidhje me mbërritjen në Evropë të një kontejneri me një sasi të madhe kokainë, me shumë gjasa nga Amerika Latine.
Ngarkesa dyshohet se ishte marrë nga dy kroatët dhe sipas EL.AS. do t’u dorëzohej dy shqiptarëve të cilët do trafikonin dhe pikërisht për këtë arsye ata kishin mbërritur në Selanik.
Sipas hetimeve droga do të shitej brenda territorit grek dhe fitimi sipas policisë kap vlerën e mbi 100 milion euro.
Dy shqiptarët gjatë fjalës së tyre para gjykatës mohuan çdo lidhje me drogën. Siç raportojnë mediat greke, ata kanë deklaruar se kanë një hotel në Rodos dhe udhëtuan në Selanik për të blerë pajisje për biznesin e tyre. Përkundrazi, kroati pranoi një pjesë të akuzave.
Mbi ta rëndojnë disa akuza të rënda, trafikim, magazinim dhe transport droge, bandë kriminale dhe rezistencë ndaj policisë.
Ndërkohë vijojnë kërkimet për kapjen e 33 vjeçarit kroat që u arratis nga policia duke u hedhur nga ballkoni i një apartamenti, të cilin ai e kishte marrë me qira së bashku me bashkatdhetarin e tij të arrestuar.
Operacioni u krye nga oficerët e policisë të Drejtorisë së Sigurisë së Selanikut në bashkëpunim me zyrën e DEA-s Athinë ( agjencia amerikane e antidrogës ) dhe Prokurorinë e Selanikut.