Në një intervistë për gazetaren Alba Kepi, të transmetuar në Tempora nga Sonila Meço në RTV Ora, gazetari investigativ Michele Albanese u shpreh se përballë kemi dy alternativa të vetme; ose i luftojmë këta kriminelë ose do jemi plotësisht të rrethuar e të përshirë nga ata.
Ai shtoi se janë ata që do emërojnë ministrat e prokurorët dhe janë ata që do komandojnë vendet.
Michele Albanese: Përballë kemi dy alternativa të vetme; o luftojmë këta kriminelë o do jemi plotësisht të rrethuar e të përshirë nga ata. Janë ata që do emërojnë ministrat e prokurorët, janë ata që do komandojnë vendet. Qeveritë reale në demokraci varen e kushtëzohen dhe nga paratë që financojnë fushata elektorale, e që hidhen për të fituar qytetet e nëse lejojmë të mbizotërojnë këto aspekte ilegaliteti, do të thotë fundi i demokracisë e i lirisë, fundi i kombeve, fundi i njerëzve të lirë. Unë mbaj një mbiemër mjaft të afërt me vendin tuaj. E dua Shqipërinë e uroj që gazetarët shqiptarë të punojnë siç po bëjmë dhe ne në Kalabri.
Michele Albanese shtoi se prokuroria shqiptare duhet të jetë aq kurajoze sa të nisë e të vërë dorë në pisllëkun e aferave të trafikut të drogës, korrupsionit, e të trafikut të investimeve ilegale në Shqipëri.
Michele Albanese: Uroj që kolegë shqiptarë me dinjitet e kurajo të zbardhin prapaskenat më të errëta të hetimeve kalabreze e prokuroria shqiptare të jetë po aq kurajoze sa të nisë e të vërë dorë në pisllëkun e aferave të trafikut të drogës, korrupsionit, e të trafikut të investimeve ilegale në Shqipëri. Lufta kundër mafias nuk është vetëm e Kalabrias, Italisë, Shqipërisë, Evropës, por është një luftë globale e që kërkon një legjislacion antimafia moderne e aftë të luftojë këto sisteme, ndryshe rrezikojmë që mafiozët do të bëhen padronë të qyteteve tona, të vendeve tona.