Yuri Kim përsërit ultimatumin: Drejtuesit e partive të pastrojnë listat nga kriminelët

Shqipëria

Yuri Kim përsërit ultimatumin: Drejtuesit e partive të pastrojnë listat nga kriminelët

Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 12:36
Yuri Kim

Më shumë se një herë, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim u ka bërë thirrje drejtuesve të partive politike të mos përfshijnë në listat e kandidatëve për deputet, persona me të shkuar kriminale.

Apeleve të diplomates amerikane kryeministri Edi Rama i kërkoi të mos i tregojë detyrën që ia dikton ligji për pastërtinë e figurës së personave në përzgjedhjen e emrave për kandidatët për deputet, ben te ditur Vizion Plus.

Në një reagim të orëve të para të mëngjesit, diplomatja amerikane, ndan të njëjtin qëndrim me kreun e qeverisë kur thotë se respektimi i ligjit të dekriminalizimit nuk duhet të vijë si një kërkese e ambasadorëve të akredituar në Tiranë, por në përmbushje të pritshmërive që Bashkimi Evropian ka ndaj një vendi kandidat për t’u anëtarësuar në familjen evropiane.

YURI KIM

AMBASADORE E SHBA-së NE TIRANE

Drejtuesit e partive nuk duhet të pastrojnë listat e tyre thjesht sepse disa ambasadorë thanë kështu ose sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë se lufta kundër korrupsionit është një përparësi. Ata duhet ta bëjnë atë sepse kërkohet nga ligji i dekriminalizimit, dhe pritet të përmbushet nga një vend aleat i NATO-s dhe aspirant i BE-së. Është një shenjë themelore e respektit ndaj votuesit.

Me afrimin e ditës kur partitë politike duhet të prezantojnë listën e kandidatëve për deputet, thirrjet e ndërkombëtareve për përjashtimin e figurave që kanë asnjë lidhje me botën e krimit janë shtuar.

Kjo nisur nga e dhëna pasi në të shkuarën disa deputetë rezultuan shkelës të ligjit të dekriminalizimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat