A do ta hetojë SPAK edhe tentativën e Ramës për të mbyllur çështjen ‘Ndrangheta’ në Shqipëri?!

Shqipëria

A do ta hetojë SPAK edhe tentativën e Ramës për të mbyllur çështjen ‘Ndrangheta’ në Shqipëri?!

Më: 4 shkurt 2021 Në ora: 15:16
Edi Rama

Ajo që paralajmëroi dje ambasadori Italian, Fabrizio Bucci, ditën e sotme është bërë realitet:

Do të ketë një hetim të zgjeruar dhe të thelluar nga SPAK për indiciet, të dhënat dhe planin shqiptarë të organizatës, Ndragheta, i cili që u zbulua nga përgjimet e antimafies italiane.

‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, ‘Grupi i strukturuar kriminal’, ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe ‘Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal’,  parashikuar nga nenet 259, 333/a, 287 – 28/4 dhe 334 i Kodit Penal:, njoftoi sot Prokuroria e Posaçme.

Hetimi tashmë është fakt dhe akuzat që pretendohet të ngrihen në fund të tij janë mjaftë të rënda. Brenda kemi lidhjen e shtetit me krimin e organizuar, korrupsionin e 20-përqindshave për lejet e ndërtimit veçanërisht në kryeqytet dhe mbi të gjitha, pastrimin masiv të parave nëpërmjet ndërtimeve, tenderave dhe punëve të mëdha publike.

Por përveç të gjitha këtyre SPAK duhet të hetojë tashmë edhe tentativën e dy njerëzve më të pushtetshëm në Shqipëri, për ta ndaluar hetimin shqiptar të kësaj çështje duke sugjestionuar drejtësinë dhe madje edhe duke i bërë presion.

Këta dy individë janë pikërisht kryebashkiaku i Tiranës ku luhet skema e mafies italiane sipas përgjimeve, si dhe vetë kryeministri Edi Rama i cili gjithashtu del në këto përgjime.

Menjëherë pas publikimit të përgjimit voluminoz, i cili sipas ambasadorit italian nuk është zbardhur ende i gjithi, Erion Veliaj foli për ‘çudira’ dhe ‘shpikje’ që bëhen në funksion të fushatës elektorale.

Ai u përpoq që nëpërmjet batutave bajate si ajo, ‘do dëgjoni se kam qenë në fillore bashkë me Pablo Escobar’, të kthente skandalin në qesharak dhe ta politizonte.

Por Edi Rama shkoi edhe më tej. Ai morri publikisht rolin e prokurorit të animafies duke e shpallur hetimin të mbyllur dhe njëkohësisht i dërgoi, SPAK, një mesazh-presion të qartë: Nuk ka vend për hetim këtu në Shqipëri!

Rama arriti deri aty sa që lexoi personalisht konkluzionet e antimafies italiane dhe në fund i vuri vulën çështjes, duke deklaruar se Ndrangheta kishte dështuar në Shqipëri dhe suksesi i saj më i madh ishte hapja e një dyqani rrobash, i cili dilte me humbje.

Në fakt indiciet që dalin nga përgjimi flasin për një skemë leje ndërtimi-20% ryshfet- pastrim parash- tendera dhe kulla gjigante në zemër të Tiranës. Ky është hetimi i vërtetë i cili tejkalon Ndrangheta dhe planin e saj për Shqipërinë.

Por Edi Rama njësoj si në çështjen e Saimir Tahirit dhe më pas atë të vëllait të Fatamir Xhafajt, bëri vetë ekspertin dhe prokurorin duke e deklaruar çështjen të mbyllur.

‘Marrja e këtij llumi dhe servirja e këtij llumi si ushqim për shqiptarët, netëve të gjata të mehjaneve televizive dhe ditëve të gjatë të kërkesës për klikime dhe spektakël është turp, që i mëshiron më së miri ata të cilët i ushqejnë këto lloj qasjesh. Janë të njëjtët dhe që priren t’iu ‘bëjnë nënën këtij vendit’. Kjo është një marrëzi e pashoqe. Flasin ca italianë, përmendin disa njerëz, imagjinojnë investime. Nuk ka asnjë fakt. lidhje, provë. Dhe këtu ngrihet një tymnajë e neveritshme. Dhe unë realisht nuk kam asgjë për të thënë për këtë. Merreni të gjitha ato mijëra faqe dhe pijini lëngun. Kjo për mua është një provë spektakolare e katandisë së opozitës dhe të mediave. Nuk e imagjinoj dot që të merret kohë nga koha e njerëzve për t’iu hedhur në fytyrë këtë lloj gjelle kuturbuese budallallëku dhe poshtërsie. Ç’të të them: që nuk i njoh këto njerëz dhe s’kam takuar asnjë? Është e kotë. Të të them që nuk funksionon kështu me mua, është gjithashtu e kotë. Është një mënyrë më e ulët se s’ka për të kërkuar avantazhe duke ‘ia bërë nënën këtij vendi’ përsëri, si gjithmonë. Në vend të informacionit bëhet dizinformacion’, u deklarua kryeminstri Rama, duke i kërkuar hapur SPAK-ut hapur që të mos guxojë që të hap hetim.

Mjafton që të merret rrëfimi i mësipërm i njeriut që kontrollon me dorë të hekurt të gjitha institucionet në vend, për të nisur një hetim kryesisht.

Përse kryeministri del dhe jep verdiktin, sikur të jetë prokuror për një çështje që nuk i takon dhe aq më shumë, ku është në konflikt interesi pasi në përgjime i ka dalë emri atij dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Rilindjes?!

Çfarë e detyroi Edi Ramën ti kërkojë drejtësisë dhe medias që ‘ti pijnë lëngun’ atij përgjimi dhe hetimi të cilin sot SPAK pas vizitës së kreut të saj në Romë e quan, ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, grupi i strukturuar kriminal, pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal…?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat