Presidenti Ilir Meta u ka bërë thirrje të rinjve shqiptarë që të marrin pjesë në atë që e konsideroi si referendum historik të 25 prillit.
Në një mesazh në rrjetet sociale në Ditën Globale të Zgjedhjeve, kreu i shtetit thotë se “vota është fuqia e vërtetë e çdo qytetari, sidomos e të rinjve, që kërkojnë dhe mezi presin ndryshimin e madh”.
Ndër të tjera presidenti tha se është i angazhuar të mos lejojë askënd të prek votat e shqiptarëve.
Statusi i plotë
Me rastin e Ditës Globale të Zgjedhjeve, u bëj thirrje të gjithë të rinjve dhe shqiptarëve, të marrin pjesë në referendumin historik të 25 prillit 2021.
Vota është fuqia e vërtetë e çdo qytetari, sidomos e të rinjve, që kërkojnë dhe mezi presin ndryshimin e madh.
Pjesëmarrja në zgjedhje, është një mision patriotik.
Askush nuk duhet të mungojë!
I garantoj të gjithë shqiptarët se jam i vendosur dhe i angazhuar për të mos lejuar askënd të prekë votën e tyre!