Basha me familjen në Lundër: Tekste falas deri në klasën e 9, studim dhe drekë në shkollë paguar nga shteti

Shqipëria

Basha me familjen në Lundër: Tekste falas deri në klasën e 9, studim dhe drekë në shkollë paguar nga shteti

Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 09:54
Basha me familjen në Lundër

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është takuar me familjen e Ramazan Lecit në Lundër, ku i ka shpalosur familjarëve dhe fëmijëve të tij programin për arsimin. Ndërsa familjarët u shprehën se të ardhurat i kanë të ulëta dhe mezi përballojnë shpenzimet e shkollës për dy fëmijët, Basha tha se me programin e PD tekstet shkollore do të jenë falas deri në klasën e nëntë si dhe do të ketë mbështetje të plotë për tarifat e universitetit për studentët nga familje me të ardhura minimale.

"Deri në klasë të 9-të do të ketë këtë përkrahje. Tekste falas, deri në klasë të 9-të tekstet do të jenë falas, por tekste të reja. Ne e kemi propozuar këtë në vitin 2017-të. Këta nga viti 2018-të e bënë por e bënë me një marifet, që jo po duhet të jetë, nuk duhet ta zhgarravisësh, duhet ta kthesh prapë. Jo, jo! Shqipëria i ka mundësitë për t’i blerë tekste falas çdo fëmije. Do kenë tekstet falas dhe do kenë këtë regjimin pas shkolle, ku do kenë mundësi, do t’i pajisim edhe me teknologji, se jo vetëm pandemia që i detyrojë që i detyrojë tani të punojnë me lap-topa, me tablet e me celularë, po kush ka, a keni ju? Me çfarë e bëni mësimin juve, online apo në shkollë? Në universitet pastaj të gjithë familjeve që kanë të ardhura më pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj, që janë 90% e studentëve, shteti do jua paguaj 100% tarifën e studimeve, s’kanë për të paguar tarifë, pse, sepse problemi kryesor për të shkuar për të studiuar është tarifa”- tha Basha.

Basha tha se do të krijojë kushte për fëmijët që të qëndrojnë në shkollë edhe pas mësimit, duke iu garantuar vend për të bërë detyrat, por edhe një vakt të paguar nga shteti.

"Në zonat rurale do fillojë një program. Mbaroi shkolla në orën 12.00 apo në orën 13.00, do rrijë e hapur shkolla deri në orën 16.00 apo deri në orën 17.00, që fëmija të bëjë detyrat aty, të mësojë kompjuterin, të mësojë ndonjë gjuhë të huaj, të mos rrijë rrugëve dhe do t’i sigurojmë edhe një vakt për të ngrënë. Mund të jenë familje me të ardhura të mira që mund ta sigurojnë vetë, po ka shumë familje që nuk e sigurojnë dot", - tha Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat