Shtyhet në Gjykatën e Posaçme të Apelit seanca ndaj Luan Dacit, ish-anëtar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i dënuar në shkallë të parë për ‘falsifikim dokumentesh’.
Shkak i shtyrjes se seancës është bërë mos formimi i trupës gjykuese. Gjyqtarja Anita Mici e caktuar në këtë proces dha dorëheqjen pas kërkesës së prokurorisë për përjashtimin e saj nga gjykimi.
Ajo është në proces Vettingu në KPA, ku i pandehuri është anëtar edhe pse i pezulluar.
Pritet caktimi i anëtarit të ri nga ana e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit. Daci u mor në hetim nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) pak muaj më parë.
Më 1 dhjetor të vitit të kaluar ai u dënua me 6 muaj burg, vendim i cili u konvertua në 1 vit shërbim prove, ku u akuzua për falsifikim dokumentesh, pasi ka fshehur shkarkimin nga detyra nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në vitin 1997.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë i asaj kohe e kishte shkarkuar nga detyra për shkelje të ligjit dhe paaftësi. Kjo shkelje sipas ligjit për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit përbën shkak për mosplotësimin e kritereve për të qenë pjesë Kolegjit të Posaçëm të Apelit.