Një ditë më parë janë shënuar shifra rekord të rasteve të reja, 1052 të infektuar ndërsa ndërruan jetë 14 pacientë.
Shefja e spitalit Infektiv Najda Çomo ka ngritur alarmin duke theksuar se për personat e shtruar në spitale është ulur grupmosha e prekur në moshë të re.
Çomo tha në një intervistë për Top Channel se ka një trend të prekjes së moshave 30 apo 45 vjeçare dhe vijnë në situatë të rënduar nga ana shëndetësore.
“Është e vërtetë që kemi një shtim të numrave të shtruar në spitalet Covid. Kemi numër të shtuar të të infektuarve. Shtrimet janë në shifër dinamike, por ajo çka unë do të tërhiqja vëmendje në lidhje me personat e shtruar që është ulur grupmosha e prekur e shtruar në spital. Pra kemi një trend të prekjes së moshave 30 apo 45 vjeçare dhe vijnë në situatë të rënduar nga ana shëndetësore. Nuk kemi ndryshim të sjelljeve të virusit, por shtim të moshave të prekur në moshë më të re.
Është mosha e re që ka kontakt më të shumtë me njëri-tjetrin dhe mbeten burim i madh infeksioni për veten dhe të tjerët. Shifra tani që flasim është dinamike. Dikush po del, dikush po shtrohet, dikush po pret të bëjë analiza. Për të mos hapur panik, kemi shtretër të lirë, por të mos gëzojmë shtretërit e lirë, por mbajtjen e maskës dhe ruajtjen e distancës fizike”, u shpreh Çomo.