“Pandemia po del jashtë kontrollit”, Meta thirrje qeverisë: Mos bëni sehir!

Shqipëria

“Pandemia po del jashtë kontrollit”, Meta thirrje qeverisë: Mos bëni sehir!

Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 18:55
Ilir Meta

Pak orë pasi Ministria e Shëndetësisë njoftoi për 1089 raste të reja dhe 15 viktima nga Covid-19 në 24 orët e fundit, vjen edhe reagimi i Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Sipas kreut të shtetit, veç propagandës, qeveria nuk ka asnjë plan për nisjen e vaksinimit masiv të popullsisë.

“Është e patolerueshme të numërohen çdo ditë të infektuarit dhe jetët e humbura dhe të mos merret asnjë masë për të frenuar COVID-19“, apelon ndër të tjera Meta.

Reagimi i plotë i presidentit:

Pandemia COVID-19 në vendin tonë po del jashtë kontrollit. Në 24 orët e fundit, është regjistruar numri më i lartë i qytetarëve të infektuar, krahasuar me çdo ditë tjetër.

Një tjetër shifër tronditëse është shënuar edhe sa i përket jetëve të humbura. Kapacitetet spitalore për të pritur shtrimet e reja ditore, rezultojnë të tejmbushura.

Ndërkohë veç propagandës, asnjë plan nuk ka për nisjen e vaksinimit masiv të popullsisë. Duke shprehur shqetësimin më madh për këta tregues të dhembshëm, i bëj thirrje Qeverisë të mos bëjë sehir dhe as mos t’i trajtojë qytetarët, si numra për statistika ditore, duke i lënë në mëshirë të fatit.Çdo shqiptar meriton të trajtohet me dinjitet dhe të ketë të gjithë asistencën e domosdoshme këshillimore dhe shëndetësore nga ana e shtetit, për të përballuar pasojat e rrezikshme të pandemisë.

Është e patolerueshme të numërohen çdo ditë të infektuarit dhe jetët e humbura dhe të mos merret asnjë masë për të frenuar COVID-19.

Nevojitet urgjentisht, një strategji e re dhe efikase, për të frenuar pandeminë, përmirësuar kushtet në spitale, mbështetur financiarisht të prekurit dhe familjet e tyre dhe rritur nivelin ndërgjegjësues të popullatës.

Çdo vonesë është kosto e madhe për qytetarët, shëndetin dhe jetën e tyre dhe kjo është jo vetëm e pafalshme, por edhe e dënueshme.

Gjithashtu, ju bëj apel qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë me rigorozitet rregullat antiCOVID.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat