Nga Nivica, ku ndodhet për të inspektuar investime në infrastrukturë dhe agroturizëm, Kryeministri Rama komentoi edhe programin e PD-së për bujqësinë. Për Ramën është një ‘meny me pjata imagjinare’.
Në intervistën e dhënë këmbëkryq në malet e bukura të Nivicës, Rama u pyet se ç'mendonte për projektin e PD për 100 milionë euro në vit investime në bujqësi.
"Po të bashkojmë bashkë buxhetin tonë nga arka e shtetit dhe atë që kemi mundur të thithim shkojnë në të njëjtën shifër. Programi i PD është një meny për të ofruar të gjitha pjatat imagjinare për të gjitha kategoritë e njerëzve dhe për ti bërë të ëndërrojnë një gjumë për një gjellë pasanikësh siç thuhet te Lulëkuqet mbi mure. Shqipëria reale është me e madhe se Shqipëria virtuale se pjatat bosh në gjumë, program që mbetet si pjatat bosh që nuk do shfaqet në asnjë tavolinë", tha Rama.
Në intervistën e dhënë Rama foli për investimet që janë bërë për agroturizmin e zonës së e Nivicës.
Sipas tij është zhvilluar një projekt vizionar që do ta shndërrojë zonën në një qendër të rëndësishme të turizmit.
‘Këto 7 vite e pak përpjekje kanë qenë të trefishta në raport me produktin për shkak se është dashur të prishim çfarë është bërë gabim dhe keq dhe të risistemojmë siç është bërë me kalanë e Ali Pashës. Ajo që sot është e qartë dhe e prekshme është se faza embrionale e një ekonomie që do të fuqizohet ka filluar të japë shenjat e para. Sot janë 11 shtëpi të rindërtura, ka pasur kërkesa në Bashkinë e Tepelenës për rindërtime. Ne kemi zhvilluar një projekt vizionar. Nesër do të jetë një infrastrukturë e shkëlqyer. Qasja jonë ka qenë qasja e agropunuturës, duke prekur një pikë dhe duke i kombinuar këto pika krijohet një energji e re. Bëj një dallim të qartë sa herë prek terrenin, që nuk shpenzojnë kohë me llafe në hapësira dixhitale. Ajo që ndjej është se njerëzit e punës janë të ndjeshëm dhe në pozitën për të kuptuar se ku shkon kjo pozitë zhvillimin, ndërsa njerëzit e llafeve e kanë të vështirë", tha ndër të tjera Kryeministri Rama.