40 vite nga Tragjedia e Fekenit, Meta: Ngjarje e paharruar në historinë e FA, dëshmi e sakrificës

Shqipëria

40 vite nga Tragjedia e Fekenit, Meta: Ngjarje e paharruar në historinë e FA, dëshmi e sakrificës

Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 11:29
Pamje nga vendi i ngjarjes

Presidenti Ilir Meta ka kujtuar rënien në krye të detyrës së pedagogëve dhe studentëve të ish-Shkollës së Lartë së Bashkuar të Oficerëve.

Kujtojmë se 40 vite më parë, më 6 shkurt 1981, në stërvitjen dimërore që zhvillonin atëherë studentët e ish-Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve në Feken, për shkak të një orteku dëbore humbën jetën 11 ushtarakë, 3 pedagogë dhe 8 studentë.

Kjo ngjarje në memorien ushtarake shqiptare është quajtur “Tragjedia e Fekenit”.

Duke përkujtuar këtë ditë, Presidenti Ilir Meta ka shkruar në Facebook se kjo ngjarja është dëshmi e sakrificës sublime dhe e ndjenjave më të pastra vetëmohuese, të trimërisë dhe guximit, të efektivëve nën uniformë.

Mesazhi i plotë nga Meta:

Në 40-vjetorin e Tragjedisë së Fekenit, rënies në krye të detyrës së 11 pedagogëve dhe studentëve të ish-Shkollës së Lartë së Bashkuar të Oficerëve, nderojmë sot me respektin më të lartë, kujtimin e Dëshmorëve të paharruar: Komandant Batalioni Dushan Shametaj, Inspektor Planizimi Çlirim Pulaj, Pedagog Nikollaq Bero dhe studentëve Bilbil Pashaj, Aleko Gjoni, Qemal Lika, Besnik Shehu, Pëllumb Rrapo, Ilir Gramatiko, Nexhip Çopa dhe Bujar Ago.

Ndarja e tyre nga jeta në mënyrë tragjike, më 6 shkurt 1981, për shkak të katastrofës natyrore të ndodhur gjatë stërvitjes dimërore, tronditi rëndë opinionin publik të kohës, për t’u përkujtuar si ngjarje e paharruar në historinë e Forcave tona të Armatosura, dëshmi e sakrificës sublime dhe e ndjenjave më të pastra vetëmohuese, të trimërisë dhe guximit, të efektivëve nën uniformë.

Mendimet e mia janë sot me familjarët e Heronjve dhe me ish-ushtarakët e plagosur, të cilët fatmirësisht i mbijetuan tragjedisë për të mbetur dëshmitarë të gjallë të saj.

Mirënjohje të gjithë efektivëve të Forcave të Armatosura, të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për shpëtimin e sa më shumë jetëve, në atë fatkeqësi të madhe. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat