Viti 2020 shënoi marrjen e kryesimit të OSBE-së nga shteti shqiptar dhe si rrjedhim, krahas angazhimeve në nivel kombëtar, shteti shqiptar mbajti në vëmendje edhe angazhimet në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.
Janë një sërë organizatash të cilat morën përsipër të japin një këndvështrim objektiv profesional dhe të paanshëm, sa i takon performancës së Shqipërisë.
Reforma në drejtësi vlerësohet si një ndër proceset më transformues në vendin tonë në këto 30 vite të demokracisë. Ecuria e zbatimit të kësaj reforme ka qenë një sfidë më vete nisur dhe nga klima politike në vend.
Vendimmarrja e Kuvendit për rishikimin dhe rritjen e numrit të punonjësve në tre instancat e vetingut ishte një kontribut pozitiv sa i takon përshpejtimit të ritmit të procesit të rivlerësimit për gjyqtarët dhe prokurorët.
Sipas raportit, synimi i Këshillit të Lartë i Prokurorisë për realizimin më dinamik të procedurave për verifikimin e pasurisë dhe figurës së kandidatëve për magjistratë është një pikë e rëndësishme e reformës në drejtësi.
Ndërkohë një tjetër sfidë e Shqipërisë vijon të ngelet zbatimi në praktikë i konventave ndërkombëtarë në fushën e anti korrupsionit dhe veçanërisht pandëshkueshmëria për një grup njerëzish.
Raporti paraqet si një pikë pozitive miratimin e një sërë traktatesh dhe konventash, në cilësinë e instrumenteve ndërkombëtare “anti–korrupsion” që në sajën e tyre legjislacioni i brendshëm ka pësuar ndryshime dhe përmirësime të vazhdueshme.
“Ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe konsolidimi i SPAK duhet të sjellë rritjen e procedimeve penale pro-aktive,” – thuhet në raport aty ku dhe sqarohet më tej se veprimtaria e këtyre institucioneve duhet të përçojë tek publiku perceptimin se lufta ndaj korrupsionit kryhet pa përzgjedhje, në përputhje me ligjin dhe në funksion të interesit publik.
Zgjedhjet e lira e të ndershme është një ndër çështjet e trajtuara në mënyrë të detajuar në raport, ku rekomandohet nisja e një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse, transparente dhe në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR, teksa thuhet gjithashtu se paketa e reformës zgjedhore mbetet e paplotë, pa rishikimin tërësor të legjislacionit mbi partitë politike dhe financimin e fushatave elektorale.