Që prej datës 6 janar tokat në fshatin Greth në Rrogozhinë janë nën ujë.
Të alarmuar nga mungesa e reagimit të Bashkisë, fermerët shprehen se nuk kanë të ardhura të tjera për të përballuar jetesën.
“Nuk e dimë çfarë të bëjmë, ndihmë nga shteti nuk ka. Po vuajmë si qentë, nuk kemi asnjë që të na qajë hallin.”
“10 hektarë tokë me grurë i kam nën ujë. Kam 400 krerë dele të cila që me 6 janar janë nën ujë.”
Fermerët e drejtojnë gishtin nga Bordi i Kullimit në Kavajë, pasi sipas tyre hidrovori nuk po punon.
“Një pompë ndizet sot dhe një nesër.”
Të tjerë thonë se kanë kontaktuar edhe me autoritetet lokale, por askush nuk u është përgjigjur.
“Nuk vjen njeri nga shteti, marrim në telefon, të gjithë na e mbyllin.”
Gruri është ndër produktet që kultivohet më shumë në këtë zonë, ndërsa rinisja e shirave pritet që të sjellë më tepër probleme për ta.
“Shpresën te i madhi Zot, po na ra shi me vënë duart në kokë”.