Në një intervistë për Ora News, ekspert i Partisë Demokratike për shëndetësinë Gazmend Koduzi u shpreh se tani që situata ka vajtuar mbi 1000 raste në ditë, sigurisht që Rama është fajtori së bashku me ministrinë e Shëndetësisë për situatën.
Koduzi theksoi se PD ka publikuar një plan për shëndetësinë dhe tha se do të zbatohet trinomin testim-gjurmim-trajtim.
Koduzi: Këtu që në fillim baba tha se në maj e qershor tha se jemi vendi më i përgatitur për Covidin dhe se ai ishte shpëtimtari. Tani që situata ka vajtuar mbi 1000 në ditë, sigurisht që ai është fajtori së bashku me ministrinë e Shëndetësisë. Problemi qëndron diku tjetër, te fakti që kjo qeveri është e paligjshme me votimet e vitit 2017. Këtë e nxori BILD dhe së fundi edhe përgjimet e Ndraghetës ku këtu është bashkëpunuar me mafien për të fituar pushtetin. Kur e vjedh mandatin me paranë e mafies, nuk punon më për qytetarët e tu, por për mafien dhe të ardhmen e tij politike. Prandaj qytetarët në 25 prill do t’i bëjnë vaksinën Ramës dhe do ta heqin nga kolltuku, por ai ka frikë se mos përfundojë në burg.
PD ka publikuar një plan për shëndetësinë. Ne do të zbatojmë trinomin testim-gjurmim-trajtim. Ne momentalisht e kemi 26% nivelin e pozitivitetit të personave me virus. OBSH rekomandon që kjo shifër të mos jetë më shumë se 5%. Kemi pasur momente që kjo shifër ka shkuar edhe deri në 35%. Prandaj duhet të rriten testimet, t’i jepen testet mjekut të familjes. Strategjia kryesore në këtë pandemi është kapja në kohë e rasteve dhe gjurmimi i tyre. Prandaj duhet të rriten testimet sa më shumë.
Koduzi shtoi se personeli shëndetësor në vendin tonë janë pa pajisje dhe nuk janë të mirë paguar.
Koduzi: Personeli shëndetësor në vendin tonë janë pa pajisje dhe nuk janë të mirë paguar. Ata janë nën presionin e check-upit pasi marrin gjobë 50 mijë lekë nëse nuk bëjnë planin. Mjekët shqiptarë punon 3-4 fishin e kolegëve në rajon se kemi 3 herë më pak mjekë për 100 banorë. Bluzat e bardha po ikin se kanë rroga të ulta. Një fakt të thjeshtë të shtoj. Këtu specializantët paguajnë rreth 4000 euro për 4 vite.