Prokuroria e Tiranës nxori dje 4 urdhra ndalimit për tri infermiere dhe një sanitare të spitalit “Shefqet Ndroqi” (ose ndryshe “COVID 2”) që akuzohen si bashkëpunëtore të Tire Alldervishit, sanitares së ndaluar më 13 janar nga Policia për mashtrim, pasi përfitoi shuma të mëdha parash nga një paciente e sëmurë me COVID-19 dhe e shtruar në këtë spital që më pas ndërroi jetë.
Nga bisedat në aplikacionin “WhatsApp” të Alldervishit, Prokuroria ka arritur të zbardhë një skemë të mirëfilltë kriminale. Në dosjen e siguruar nga gazeta “Panorama”, shihet qartë se si bashkëpunonin këto 5 punonjëse në këmbim të përfitimit monetar. Pas arrestimeve të djeshme, duket se skandali te spitali “Shefqet Ndroqi” thellohet edhe më shumë. Në dosjen e Prokurorisë së Tiranës thuhet se veprimet hetimore kanë nisur pas kallëzimit që ka bërë më datë 12.01.2021, në orën 19:30, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë shtetasja Eltjana Sinanaj.
Ajo ka denoncuar shtetasen Tire Alldervishi, pasi sipas saj, i ka marrë disa shuma parash të konsiderueshme për t’i shërbyer së ëmës, e cila ishte e shtruar në spital me Covid-19, duke iu prezantuar si infermiere, ndërkohë që ishte sanitare e spitalit. Gjithashtu, në emisionin “Stop” të datës 12.01.2021 janë transmetuar pamjet për ngjarjen e ndodhur. Në vijim u krye ndalimi me iniciativë i shtetases Tire Alldërvishi nga ana e Policisë Gjyqësore për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit”, kryer më shumë se njëherë dhe ndaj saj u vendos masa e sigurisë “Arrest në burg”.
Nga ana e Prokurorisë është kryer një volum i madh veprimesh hetimore, si për të qartësuar mekanizmin se si ka vepruar shtetasja Tire Alldervishi, ashtu edhe për të evidentuar nëse ndodheshim para një veprimi që kjo shtetase ka kryer e vetme apo në bashkëpunim me persona të tjerë, me qëllim përfitimin e vlerave monetare duke shpërdoruar detyrën e tyre në kurriz të pacientëve të sëmurë me COVID-19 apo familjarëve të tyre.
KOMUNIKIMET ME MESAZHE TE TIRE ALLDERVISHIT ME INFERMIERET E SANITAREN E ARRESTUAR
Personit nën hetim, Tire Alldervishi, i është këqyrur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një aparat celular i markës “Samsung” me kartë sim me numër 0685808xxx. Nga këqyrja e aparatit rezulton se kjo shtetase ka shkëmbyer komunikime të shumta me persona të ndryshëm, kryesisht pacientë dhe familjarë të tyre, si dhe sanitare dhe infermiere në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Nga përmbajtja e këtyre komunikimeve të realizuara nëpërmjet aplikacionit “WhatsApp” dhe SMS, rezulton se Tire Alldervishi, në bashkëpunim me persona të tjerë, përveç rastit me pacienten Liljana Kalemi, është përfshirë edhe në disa episode të tjera, duke u kërkuar dhe marrë para familjarëve të pacientëve të shtruar në spital, për t’u shërbyer të afërmve të tyre.
Më datë 05.12.2020 Tire Alldervishit i ka ardhur një mesazh nga kontakti i regjistruar në telefonin e saj me emrin “Sheqere kati 3”, ku përmbajtja e bisedës së zhvilluar mes tyre është si më poshtë vijon:
Sheqerja: Tire, shko ndërroje pak Muhametin, se ta jap kafen kur të vij vetë, se s’ka Elda kohë. Në rregull? Mos harro. Me thuaj pastaj.
Nga verifikimet rezulton se numri telefonik celular i përket shtetases Sheqerije Koçi, e cila rezulton e punësuar pranë Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”. Ajo figuron në listën e infermierëve të këtij spitali. Ndërsa shtetasi me emrin Muhamet është identifikuar si shtetasi Muhamet S., i cili rezulton të ketë qenë i shtruar si pacient në spital gjatë periudhës kohore që është dërguar mesazhi.
Në vijim të këtij episodi, më datë 12.12.2020, shtetasja Tire Alldervishi ka komunikuar me numrin e regjistruar me emrin “Mira Vod”
Nga verifikimet rezulton se ky numër i përket shtetases Mira Bushi, e cila rezulton e punësuar pranë Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi” dhe figuron në listën e infermierëve. Nga biseda e datës 12.12.2020 Tirja i thotë Mirës që ka hyrë mik për të tek Ana në dhomën 6 dhe Mira i thotë që s’ka gjë se në i ndajmë të gjitha. Në bisedë përmendet shtetasja me emrin Sheqere (Sheqerije Koçi, infermiere), e cila gjithashtu përmendet në episodin e mësipërm. Nga biseda kuptohet gjithashtu që dikush që ka qenë i shtruar i ka dhënë diçka Sheqerijes, që sipas bindjes sonë, ka qenë përfitim monetar.
Tirja: Si të kam? Kam hyrë mik dje për ty tek Ana për dhomën 6. Kam bërë gabim apo mirë? Nëse kam gabuar, të kërkoj ndjesë.
Tirja: Të përqafoj.
Tirja: S’flas dot, më vonë.
Mira: S’ka gjë, ne i ndajmë të gjitha.
Mira: Ai ia dha Sheqeres pa u futur te dera. Ti e di që punojmë bashkë.
Tirja: Dëgjova që i keni bërë me dhoma.
Mira: Në fakt nuk i doja se ta çajnë kokën.
Mira: Po s’ka gjë, ne kështu punojmë.
Tirja: Kërkoj ndjesë.
Mira: Të kam zemër. Të puth fort.
Tirja: Kafja të bëftë mirë.
Më datë 26.09.2020, Tire Alldervishi ka komunikuar me numrin e regjistruar me emrin “Sidorela Kat 3”. Nga verifikimet rezulton se nuk ka të dhëna për këtë numër, por sipas dokumentacionit të administruar, rezulton se shtetasja Sidorela Çela figuron në listën e infermiereve të këtij spitali, me numrin e gjetur në telefonin e Tire Alldervishit dhe komunikojnë si më poshtë:
Tirja: E pe moj sa më dha Nr. 10.
Sidorela: Kur ta dha?
Tirja: Ma futi te çanta e kortonit.
Sidorela: Mua s’më dha.
Sidorela: Haha, ika, jam te tuneli me autobus … vl sa pa hiç
Ndërsa përmbajtja e një tjetër bisede të zhvilluar mes tyre në aplikacionin “WhatsApp” është si më poshtë vijon:
Sidorela: Tire ça bën?
Sidorela: Të lutem ma bëj hallall e me shko çik atje.
Sidorela: Të sigurova 20 mijë. Sidorela: Mos u ndiej me askënd.
Sidorela: Dhe veç 20 sa lekë harxhove?
Sidorela: Më thuaj.
Sidorela: Dhe pyete sa e ka oksigjenin Gëzimi.
Sidorela: Të lutem.
Tirja: Nuk ma ngre.
Sidorela: Ja ta marr unë një herë.
Tirja: Nr Vjollcës, numër tjetër 0672831xxx.
Sidorela: Vajte atje?
Tirja: Te Gëzimi kishte vajtur të interesohet një infermiere me emrin Edlira.
Sidorela: Ku je ti?
Sidorela: Të të jap çik nr. e gocës së Gëzimit, t’ia nxjerrësh në kamera.
Tirja: Do Gëzimi me fol me gruan?
Sidorela: Se më tha do t’i jap Tires ndonjë lek.
Sidorela: Ja të të jap nr.
Tirja: You deleted this message.
Sidorela: Kush e ka këtë?
Tirja: Lidhu me këtë numër.
Sidorela: Kam frikë mos më hapin ndonjë problem.
Tirja: Quhet Lume.
Sidorela: O Tire prit të marr në tel.
Tirja: Jam mikesha e Tires t’i thotë.
Sidorela: Ferzi Y.
Sidorela: Ma gjej çik.
Sidorela: Është kushëriri i babit.
Sidorela: Është nga Alarupi.
Sidorela: E ma thuaj si është dhe do takojmë ata familjaret të pimë kafe.
Nga analizimi i listës së pacientëve të shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, rezulton që personi i cituar më sipër me emrin Gëzimi është pacienti i shtruar në spital, shtetasi Gëzim L. dhe personi që ka mbajtur kontakte me Tiren është bashkëshortja e Gëzimit, shtetasja Fatime L. Ndërsa, Ferzi që citohet më sipër është shtetasi Ferzi H., i cili gjithashtu nga analizimi i listës së pacientëve, ka qenë pacient në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Gjithashtu, rezulton që në një tjetër episod, shtetasja Tire ka komunikuar me numrin “XXX”, që interesohet për shtetasin Agim A., i shtruar në atë spital, gjithashtu i thotë që Elona nuk i përgjigjet, por e ka falënderuar për porosinë. Biseda është si më poshtë vijon:
“XXX”: Po pate ndonjë mundësi me pacientin Agim A. te dhoma 5 kirurgjia torakale. Si është, si gjendje dhe oksigjenin sa e ka? A është i qetë? Se kjo Elona nuk më përgjigjet. Vetëm thjesht më falënderoi për porosinë.
“XXX”: Mgjesi. Dini gjë sot kush është në shërbim në kat të dytë ke Agimi? Tirja: Mgjesi. Të shoh, të them. Mbrëmë s’kisha bateri.
“XXX”: S’ka gjë
“XXX”: Fola me Sidorelën tani dhe më tha që ishte ajo tani ditën. Rrofsh
Në lidhje me episodin e mësipërm është pyetur shtetasi Mariglen A., i cili është nipi i shtetasit Agim A., i cili sqaron se: Ka pasur të shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” xhaxhain e tij shtetasin Agim A., i cili ka qenë shtruar në datë 29.11.2020 dhe ka qëndruar në katin e dytë dhoma 5, kirurgjia tarakale. Në datën 16.12.2020, xhaxhai i tij ka ndërruar jetë në spital. Marigleni pohon që e ka njohur shtetasen Tire Alldervishi në derën e spitalit kur ka qenë duke dorëzuar ushqimet për xhaxhain e tij. Aty ka parë Tiren dhe i ka kërkuar si nder që t’i dërgonte ushqimet lart te xhaxhai i tij, pasi nuk kishte mundësi që të vinte në orën 18:00 kur ishte orari i përcaktuar për të dorëzuar ushqimet. Marigleni i ka dhënë asaj një pesëmijë dhe dhjetëmijë lekësh të ri. Marigleni pohon që ka pasur kontakte vetëm me infermierët. Ai iu ka dhënë atyre nga një dhjetë mijë lekësh të vjetër. Infermieret, të cilave iu ka lënë nga një dhjetë mijë lekësh, kanë qenë shtetasja me emrin Elona dhe Sidorela. Sidorela që përmendet më sipër rezulton të jetë shtetasja Sidorela Çela, siç është sqaruar dhe më sipër, me detyrë infermiere e spitalit dhe ka kontakte të vazhdueshme me Tiren. Komunikimi i mëposhtëm është mes Tire Alldervishit dhe numrit të regjistruar me emrin Altini Djanes, identifikuar si Altin S. Biseda është si më poshtë vijon:
Altini: Mëngjes Tire, si jeni? Këtu te porta jam.
Tirja: Mëgjesi, do të sjell një shoqe se jam pushim.
Altini: Ok.
Tirja: Jepi një 10 se ajo ndërron dhe babin.
Altini: Ok.
Altini: Mëngjes Tire, si u gdhive? Këtu te porta jam. Flm.
Tirja: Mirëmëngjesi, të kam dërguar nr. e asaj shoqes në “WhatsApp”.
Altini: Mëngjes, si gdhive? Në punë apo pushim je?
Tirja: Mgjesi, turni 2, merr Rukijen.
Altini: Ok, flm. Tirja: Mos i jep gjë, i kam dhënë unë.