ADN-ja zbulon vrasjen e 2011, korçari akuzohet si ekzekutori i Ilir Rexhepit

Shqipëria

ADN-ja zbulon vrasjen e 2011, korçari akuzohet si ekzekutori i Ilir Rexhepit

Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 14:46
Mirgen Toshi

Një profil gjenetik pështyme, ka mbërritur nga Greqia në Shqipëri, duke sjellë zbulimin e emrit të korçarit, Mihal Alias, Mirgen Toshit në vrasjen e biznesmenit, Ilir Rexhepi në 30 dhjetor 2011 në Elbasan.

Toshi, momentalisht po vuan dënimin me 16 vite burg në Selanik nën akuzën e trafikut të drogës. Ndërkohë hesapet me drejtësinë Shqiptare për të sapo kanë filluar, pasi nga informacionet e mbledhura, dyshohet se ai ka kryer vrasje me pagesë për llogari të një grupi kriminal në qytetin e Elbasanit.

Profili i ADN i dërguar nga Greqia është krahasuar me materialet e gjetura në Shqipëri, me tre ngjarje kriminale të rënda të ndodhura në Elbasan.

Në sitë janë vënë të dhënat e grumbulluara në vrasjen e Ardian Ibrahimit, kunatit të ish-oficerit të rrugores Fadil Mema, i mbetur i vrarë në 28 maj 2006 në Elbasan. Po kështu krahasim është bërë dhe për vrasjen e Roland Rexhepit, ose “Doda”, i vrarë në Elbasan në 22 korrik 2009.

Për të dyja këto ngjarje nuk është përftuar asnjë rezultat nga analizimi i ADN-së.

Por gjatë krahasimit të gjakut të gjendur në vendin ku u vra, Ilir Rexhepi, biologët e policisë shkencore konstatuan se profilet e ADN-së gjak-pështymë, kishin ngjashmëri të plotë.

Kaq ka mjaftuar që prokuroria dhe policia e Elbasanit, tashmë të përqendrojnë fokusin e tyre tek korçari, Mihal Alias, Mirgen Toshi. Ky i fundit ndodhet në burg në Greqi dhe pa kryer dënimin në shtetin helen, nuk mund të ekstradohet në Shqipëri dhe të japë shpjegime lidhur me ngjarjen.

Mihal Toshi, është vëllai i Damiano Toshit, i cili është dënuar nga gjykata e Elbasanit me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy basketbollistëve të “Skëndërbeut” në Korçë, Sokol Jahollarin dhe Rafael Rizan, si dhe ka plagosur Julian Beckën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat