Fatmir Mediu i shkon në zyrë Lulzim Bashës

Shqipëria

Fatmir Mediu i shkon në zyrë Lulzim Bashës

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 18:59
Fatmir Mediu, Lulzim Basha

Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu i ka shkuar në zyrë Lulzim Bashës, me shpresën se mund të arrihet një marrëveshje për koalicion mes tyre në zgjedhjet e 25 prillit. Edhe pse diskutimet mes tyre dhe grupi negociatar vijon prej një kohe të gjatë ende nuk ka një të tillë. Gjatë ditës së sotme Basha është takuar edhe me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi  me të cilin ende nuk ka arritur një marrëveshje si do garojnë për zgjedhjet e 25 prillit.  

Duket se negociatat mes republikanëve dhe demokratëve kanë ngecur në kalkulimet sesa kandidatë të PR duhet të përfshihen në listën zgjedhore dhe pozicionimi i tyre. Mediu nuk tërhiqet nga kërkesa për një vlerësim sa më të drejtë të peshës elektorale të partisë që drejton, ndërsa është shprehur më parë se ai nuk kërkon nga PD-ja pazare, por një koalicion që t’i japin fund pushtetit të Ramës dhe pesha e PR të vlerësohet për atë që është duke e krahasuar edhe me rezultatin e zgjedhjeve në 2017.

Edhe pse PR dhe PD nuk kanë ende një marrëveshje mes tyre, ndryshe nga aleatët e tjerë të vegjël të Bashës, Mediu vijon të ecë para me programin e tij duke mos ngelur peng i PD. Ai ka prezantuar kandidatët e PR-së në disa qarqe dhe ka regjistruar edhe Partinë Republikane në KQZ për zgjedhjet e 25 prillit. Mediu madje nuk ka ndalur as 'kërcënimet' gjatë deklaratave në media se nëse nuk gjen gjuhën e përbashkët me Lulzim Bashën do të garojnë të vetëm më 25 prill.

Ndërkohë kryedemokrati Basha ka mbyllur një marrëveshje me 3 parti aleate dhe i ka premtuar vende të sigurta në lista, Agron Dukës në Durrës, Nard Ndokës në Shkodër dhe Dashamir Shehit në Tiranë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat