Rritje me 61% infektimi i moshave të reja, Bino: Shifër drastike

Shqipëria

Rritje me 61% infektimi i moshave të reja, Bino: Shifër drastike

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 20:04
Silva Bino

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino në një intervistë për Ora News ka thënë se ngushtimi i fashës orare është një vendim që është marrë për kufizim të kontakteve.
Sipas Binos, duhet të zbatohen protokollet pandemike, sepse në javën e shkuar infektimi i moshave të reja ka pësuar një rritje drastike deri në 61%.

Bino: Periudha e inkubacionit të sëmundjes është 2 javë, kjo është arsyeja që me këtë lloj sëmundje nuk mund të vëresh dhe vëzhgosh zbatimin e masave më pak se dy javë. Nuk janë të mjaftueshme, por është një indicator që do të ndiqet në vazhdim.

Ky është një kufizim i kontaktit që personat mund të kenë në jetën e tyre, në bare, restorante në këtë periudhë. Ne do ta shikojmë se sa e mjaftueshme do të jetë, por kjo duhet të kombinohet me zbatimin e masave të tjera. Ne diskutuam edhe masa të tjera, por diskutuam që të zbatohen ato masa që ne i kemi rekomanduar, pra të zbatohet protokolli i sigurisë në bare dhe restorante, ruajtja e distancave në vendosjen e tavolinave, gjë që shpeshherë nuk respektohet. Mbajtja e maskës, sepse edhe sot në një studim i kryhet nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve në SHBA, vihet re që maska të mbron në 95%. Maskë prej cope, e kombinuar me maskë kirurgjikale. Pra sa më shumë shtresa të ketë është një mjet i jashtëzakonshëm mbrojtës.

Njerëzit nuk duan ta besojnë këtë dhe janë lodhur, është e vërtetë, por duhet të kemi një besim te njëri tjetri e një mënyrë mirëkuptimi, në mënyrë që të ndihmojmë ata që janë më të dobët. Nga ana tjetër vëmë re që kemi edhe shumë të rinj që janë infektuar. Numri i infektimeve në moshën 15-24 vjeç, gjatë javës që shkoi është rritur me 61 %. Është një rritje drastike që tregon se kemi një qarkullim të dendur të virusit, sidomos në disa bashki të caktuara.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat