Presidenti Ilir Meta ka reaguar lidhur me gjobën që është vendosur ndaj pronarit të një organizate i cili ka organizuar një aktivitet në kundërshtim me masat anti COVID.
Sipas Metës, Abdulla Deliallisi është ndëshkuar pa të drejtë. Presidenti shkruan se e garantoi inxhinierin Deliallisi, se Institucioni i Presidentit të Republikës do të jetë në mbështetje të plotë të tij dhe të shoqatës “Durrësi Autokton”, në të gjitha procedurat ligjore për kundërshtimin e kësaj mase.
“Me një gjobë arbitrare dhe tërësisht politike, 5 milion lekë, Qeveria ka ndëshkuar pa të drejtë inxhinierin e shquar në pension, z.Abdulla Deliallisi, Kryetar i Shoqatës “Durrësi Autokton”, për gjoja shkeljen e masave antiCOVID, në ceremoninë e organizuar pasditen e djeshme në Pallatin e Kulturës së Durrësit, me rastin e vlerësimit nga Presidenti i Republikës me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” të arkeologut të mirënjohur, Profesor Vangjel Toçi (pas vdekjes).
Lidhur me këtë gjobë të pastër politike, e prita sot në takim z.Deliallisi për t’u njohur prej tij me rrethanat e këtij veprimi skandaloz dhe të papranueshëm të Qeverisë.