Shkodra vazhdon të jetë nën pushtetin e ujit për më shumë se një muaj, ndërsa Presidenti i Republikës i kërkoi sot qeverisë të shpallë “Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore”.
Por nën ujë janë edhe Durrësi, Berati, Fieri, Vlora e shumë zona të tjera të vendit.
Për ish kryeministrin Sali Berisha situata në Shkodër dhe mosndihma nga qeveria lidhet me urrejtjen që Edi Rama ka për këtë qytet dhe Veriun e vendit në tërësi.
Sali Berisha: Së pari, dua të shpreh solidaritetin tim me të gjithë banorët e zonave të përmbytura. Theksoj këtu se, Shkodra sot ka qenë në ditën e 36-të të përmbytjes. Pa asnjë lloj mbështetjeje nga Edi Rama, i cili praktikon, zbaton një qëndrim armiqësor të zbatuar në urrejtje njerëzore ndaj Shkodrës dhe Veriut të Shqipërisë në tërësi.
Në 8 vite Beti, Shkodra që është vendi më i përmbytshëm, për shkak të sistemeve ujore nga të cilat rrethohet, nuk është investuar një qindarkë në mbrojtjen e këtij qyteti, NënShkodrës dhe zonave të tjera. Shkodra dhe Veriu janë zona të ndaluara për investime për qeverinë e Edi Ramës. Kurrë në histori nuk ka ekzistuar, as në rastet e pushtimeve, një qeveri më barbare me taksat e shqiptarëve nga Kamza në Vermosh e Konispol siç është qeveria e Edi Ramës. Investimet në Shkodër dhe në veri nuk janë as 2/3-at e investimeve në pllakat e gurit të sheshit Skënderbej.
Pra, Veriu është i përjashtuari i madh nga njeriu që e urren për vdekje atë zonë. Që nga qeveria e parë e Lidhjes së Prizrenit deri në këtë qeveri, kurrë në historinë e Shqipërisë nuk ka patur një pushtet qëndror me institucionet e tij të pastruara totalisht nga drejtues me origjinë nga Kamza e sipër. Nuk e ka bërë asnjë pushtues, as Enver Hoxha nuk e ka bërë.