Shumica e shqiptarëve e vlerësojnë performancën e qeverisë shqiptare në katër vitet e fundit si negative, zbuloi sondazhi i Euronews Albania me kompaninë prestigjioze MRB të enjten.
52.4 për qind e qytetarëve të anketuar i dhanë punës së qeverisë notë negative, ku konkretisht 24.4% thanë se ishte shumë negative dhe 28% si disi negative.
Nga ana tjetër, qeveria mori notë kaluese nga 47.2 për qind e pjesëmarrësve në studim, ku 33.1% thanë se performanca ishte disi pozitive ndërsa 14.1% e cilësuan atë si shumë pozitive.
Gratë ishin ato që u përgjigjën më pozitivisht, ndërsa burrat dominuan përgjigjet negative.
Të rinjtë e moshës 25-34 vjeç ishin kryesisht të pakënaqurit.
Votuesit e pavendosur, në të cilët bazohet fati i zgjedhjeve sipas rezultateve të projektimeve të sondazhit të MRB, ishin në masën 65.7% të pakënaqur me qeverisjen socialiste.
Shqiptarët i vunë gjithashtu notë, punës së PD dhe LSI, ku ishin të pakënaqur në masën 63.6% për PD dhe 77.9% për LSI.
Metodologjia
Sondazhi anketoi 1600 persona me të drejtë vote në 12 zona elektorale urbane dhe rurale në të gjithë Shqipërinë gjatë periudhës 22 dhjetor-31 janar.
Tematikat e pyetjeve qenë të lidhura me performancën e qeverisë, performancën e partive politike, popullaritetin e liderëve politikë dhe vlerësimin për çështjet operacionale në Shqipëri.