Kur ndërtimi i banesave të shkatërruara nga tërmeti duhet të kishte përfunduar, disa banorë po enden prokurorive pasi janë në proçes gjyqësor me Institutin e Ndërtimit.
Banorët e kompleksit të banimit “Desla” në Durrës nuk janë dakord me riparimin e banesave të tyre të klasifikurara të dëmtuara të shkallës Ds4 nga Instituti i Ndërtimit.
Një përfaqësi e banorëve të tre pallateve që janë në proces hetimor nga prokuroria e rrethit gjyqësor të Durrësit kanë protestuar sot kundër procedurave tenderuese që po bëhen për këto ndërtesa, pasi sipas tyre dhe avokatit mbrojtës që i përfaqëson, pallatet janë të dëmuara në strukturat mbajtëse, kanë inkliminim të madh që kategorikisht i bën të rrezikshme, toka ku janë ndërtuar ato është jo solide, jo stabël.
Banorët thonë se po bëhen eksperimente me jetën e tyre pasi banesat janë të rrezikshme për të jetuar njerëz.
Ky kompleks me 108 familje ndodhet në lagjen 18 të qytetit bregdetar, në vendin e njohur si “fusha e rërës”. Nga ekspertiza e kryer pas tërmetit nga inxhiniere francezë objekti u klasifikua me dëmtime të shkallës DS4, dhe banorët kërkojnë prishjen e tyre.