Zgjedhjet parlamentare të Kosovës ishin pjesë e diskutimeve në takimin e përjavshëm të kreut të PS-së Edi Rama me drejtuesit e qarqeve.
Sekretari i Pëergjithshëm i kësaj partie, Taulant Balla, duke folur pas mbledhjes uroi Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin për fitoren teksa vlerësoi standardin e lartë të zgjedhjeve.
Balla: Dua ta filloj me një urim për Kosovën për mbajtjen e zgjedhjeve me një standard shumë të lartë, të përgëzoj popullin e Kosovës për një pjesëmarrje të admirueshme në kushtet e pandemisë dhe në kushtet e një të ftohti ekstrem këto ditë në Shqipëri dhe Kosovë. Konstatojmë me kënaqësi që zgjedhjet vajtën shumë mirë dhe gjej rastin të përgëzoj të gjitha partitë politike të Kosovës për frymën dhe standardin e zgjedhjeve por padyshim dua ta uroj me gjithë zemër Vetëvendosjen dhe mikun tonë Albin Kurtin për fitoren e këtyre zgjedhjeve. Uroj që procesi i konstituimit të kuvendit të ri dhe qeverisë së re të marrë kohë sa më të shkurtër të mundshme dhe sigurisht mezi presim të punojmë me qeverinë e re,me parlamentin e ri në funksion të intergrimit europian të Shqipërisë dhe Kosovës.
Edhe pse e vështirë për tu pranuar, duket se në këtë drejtim Shqipëria ka shumë çfarë të mësojë nga Kosova.
Ndaj Balla kishte një apel për partitë politike këtu që të respektojnë rezultatin pas 25 prillit.
Balla: Jemi motër e vëlla dhe sigurisht që marrim nga njëri-tjetri mësime, eksperienca. Të gjitha partitë politike duhet të pranojnë rezultatin. Uroj që edhe në Shqipëri pas 25 prillit çdo parti politike të pranojë rezultatin. Është me rëndësi të hiqet dorë nga eksperiencat e kaluara si bojkotet. Vota e popullit duhet respektuar dhe ata që humbin zgjedhjet duhet të kuptojnë që nuk është faji i popullit por atyre që humbin zgjedhjet. Zgjedhjet në Kosovë ishin një festë e demokracisë. Kur populli merr pjesë masivisht edhe në kushte tejet të vështira si pandemia dhe i ftohti besoj se mesazhi është tepër i qartë dhe duhet respektuar nga të gjithë.