Me anë të një shkrese dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, Policia e Shtetit kërkon 25 kilogramë drogë të llojeve të ndryshme për të stërvitur qentë.
Kjo është kërkesa e dytë e bërë nga Policia, pasi më herët kishte kërkuar heroinë dhe kanabis.
Policia e Shtetit kërkon drogë nga Prokuroria e Përgjithshme për të stërvitur qentë. Kjo është kërkesa e dytë pas asaj të bërë në janar të 2020, për dy lloje të drogave.
Sipas shkresës së firmosur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, thuhet se në tetor kanë marrë sasinë e nevojshme të lëndës narkotike atë të heroinës dhe kanabisit çokollatë, megjithatë është e nevojshme që të ketë edhe të llojeve të tjera për të bërë të mundur trajnimin e qenve.
Duke e konsideruar shqetësues mungesën e këtyre lëndëve narkotike në Institut, Ardi Veliu, kërkon ndihmën e prokurorit të përgjithshëm për sigurimin e 5 kilogramëve vaj kanabisi, 5 kilogramëve kanabis, 5 ekstazi, 6 kokainë dhe 4 kilogramë heroinë.
Edhe më herët Policia ka kërkuar lëndë narkotike në Prokurorinë e Përgjithshme në mënyrë që të stërviten qentë për nuhatjen dhe gjetjen e lëndëve narkotike. Në tetor të 2020, Policia ka siguruar nga Prokuroria sasi lënde narkotike të heroinës dhe kanabisit, ndërsa tashmë kërkon edhe 3 lloje të tjera drogash.