Pas Shkodrës, vaksinimi i të moshuarave në qendrat e përkujdesit ka nisur edhe në Tiranë. Injektimi i dozave të para nisi në prani të Kryeministrit, që nuk humbi rastin për të qenë prezent.
Janë 700 të moshuar dhe 300 staf që do të vaksinohen paralelisht me stafin mjekësor.
RAMA
Dalja jashtë rendit të përcaktuar në planin kombëtar të vaksinimit është bërë gati e zakonshme për kreun e qeverisë.
Përmes tij, u mësua po ashtu se do të nis vaksinimi edhe për të moshuarit që kanë dhënë kontribute. Sinjalin e parë Kryeministri e dha nga Aeroporti i Rinasit, teksa priti dërgesën e dytë me 7020 vaksina nga “Pfizer”. Ndërsa dje konfirmoi se pjesë e kalendarit të vaksinimit do të jenë edhe personalitetet.
“Për rreth 1000 persona, vaksinimi do të përfundojë këtë javë, ndërkohë që po shtrihet në të gjithë rrjetin e bluzave të bardha. Këtu janë sot prezentë mjekë, infermierë nga Durrësi, Mati, Bulqiza e ndërkohë nesër, në mos gabohem, ne do të jemi në Vlorë. Do të vazhdojmë dhe në zonën poshtë, do të vazhdojmë njëkohësisht këtu me një numër tjetër të moshuarish që janë personalitete, të cilët duhet t’i mbajmë me gjithçka mundemi sa më mirë e jo thjesht të kujtohemi kur të ndahen nga jeta e të mbajmë fjalime”, tha Rama.
Sipas të dhënave të Ministrisë, të mërkurën janë kryer 612 vaksinime anti-Covid për personelin shëndetësor dhe në shtëpitë e të moshuarve. Ndërsa që nga fillimi i vaksinimit, e kanë marrë dozën e parë 1693 persona, 620 mjekë dhe infermierë kanë marrë dozën e dytë dhe në total janë kryer 2313 vaksina anti-COVID.
Një numër ky tejet i ulët duke marrë në konsideratë angazhimin e Kryeministrit për ta përmbyllur këtë proces brenda një periudhe 14-mujore. “Presim nga dita në ditë të kemi një konfirmim të rëndësishëm për të finalizuar marrëveshjen për 360 mijë doza të vaksinës ‘AstraZeneca’, një orë e më parë. Mbrëmë kemi pasur një tjetër kontakt me një tjetër shtet mik në kuadrin e kontakteve që kemi stabilizuar me disa shtete. Përsëri, edhe aty kemi shumë shpresë realiste që do të kemi një sasi tjetër. Mbetemi shumë të bindur që skenari A, ai i vaksinimit të të gjithë popullatës, natyrisht, atyre që duan të vaksinohen, sepse nuk është me detyrim, të realizohet. Që do të thotë brenda 14 muajsh, ne të kemi kryer të gjithë vaksinimin”, tha Rama. Një deklaratë kjo që më shumë sesa shpresëdhënëse, tingëllon utopike.
META
Por sipas Presidentit Meta, situata po shkon drejt një katastrofe kombëtare. Përveçse nuk ka një plan për vaksinimin, vë në dukje kreu i shtetit, nuk ka asnjë kusht të përmirësuar në spitale si edhe asnjë masë efektive për parandalimin e përhapjes së pandemisë.
“Në kushtet kur situata pandemike po rëndohet ndjeshëm, është kriminale të bëhet sehir dhe rastet e shtuara të infektimeve e humbjet e jetëve të trajtohen si statistikë. Vetëm sot janë regjistruar 18 viktima dhe sipas të raportimeve nga terreni, çdo 13 minuta një autoambulancë mbërrin në Spitalin Infektiv COVID1. Nuk ka asnjë plan konkret për vaksinimin e popullatës, asnjë kusht të përmirësuar në spitale, asnjë masë efektive për parandalimin e përhapjes së pandemisë në popullatë. Situata po shkon drejt një katastrofe kombëtare, që duhet parandaluar pa humbur më kohë. Çdo ditë, që kalon, do të thotë më shumë pasoja për shëndetin dhe jetën e qytetarëve, mbrojtja e të cilëve duhet të jetë prioriteti ynë absolut. Propagandë duke luajtur me jetët e shqiptarëve nuk mund të ketë dhe nuk do lejohet të ndodhë”.
Në postimin e tij, në rrjetet sociale Presidenti i ka bërë thirrje qeverisë që të ndryshojë një orë e më parë strategjinë për menaxhimin e pandemisë.
“I bëj thirrje qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, që sot, të reflektojnë dhe të kthejnë fokusin vetëm nga qytetarët. Është emergjente ndryshimi rrënjësor i strategjisë anti-COVID, pasi masat dhe kufizimet e marra deri tani nuk po sjellin asnjë rezultat. Nevojitet një strategji e re, gjithëpërfshirëse dhe e ndërtuar mbi këshillat e specialistëve më të mirë epidemiologë, virologë e imunologë brenda dhe jashtë vendit. Shpenzimet publike për vaksinimin, trajtimin, testimin dhe gjurmimin, për furnizimin me barna të qendrave spitalore dhe të shërbimit reanimator me pajisje jetëshpëtuese, janë tani më të rëndësishme se kurrë. Për këtë arsye, politika fiskale duhet të jetë mbështetëse dhe fleksible derisa të sigurohet një dalje e sigurt dhe e qëndrueshme nga kriza. Përsëris apelin, drejtuar çdo shqiptari, për të mos e ulur vigjilencën dhe vijuar zbatimin me rigorozitet të rregullave anti-COVID”, ka mbyll postimin e tij Meta.