Edi Rama pas kaq kohësh që po vërtitet nëpër Shqipëri pa bërë asnjë bilanc për ato që ka bërë gjatë 8 viteve në pushtet, më në fund duket se e ka gjetur një motiv për të justifikuar dëshirën dhe qëllimin për një “mandate të tretë”.
Dhe ky motiv është “beteja” e tij, për të pastruar batakçinjtë brenda radhëve të “bluzave të bardha”.
“Po sikur të kishte sulmuar virusi para 7 vjetësh kur spitalet ishin deri edhe në këtë derexhe apo sikur largqoftë edhe ne të kishim qenë si ata të para 7 vjetëve dhe të na kishte gjetur me ato farë spitalesh, a e imagjinoni dot se çfarë qameti do ishte bërë apo jo?
Ky është Spitali i Urgjencës dhe Patologjisë në Elbasan dhe besoj s'ka nevojë për koment, pavarësisht se kush nuk do të shikojë s'ka shans ta shohë ndryshimin (s'ka më qorr se ai që i ka sytë top, po mëndjen tapë!), por do të vazhdojë avazin se sot është më keq se dje!
Jo, sot spitalet nuk kanë asnjë krahasim me dje, por unë jam i pari që e di se ky ndryshim fantastik i infrastrukturës nuk mjafton, sepse duhet ta kryejmë deri në fund edhe ndryshimin që kemi nisur këto vite në organizimin e bluzave të bardha, menaxhimin e tyre, cilësinë morale e jo vetëm profesionale të shërbimit, duke pastruar deri në fund abuzuesit e batakçinjtë nga radhët e atyre bluzave! Prandaj na duhet Mandati i Tretë”, ka shkruar sot ai në Facebook duke shpërndarë disa fotografi të Spitalit të Urgjencës në Elbasan.
Faktikisht batakçinjtë më të mëdhenj të spitaleve dhe të sistemit shëndetësor ai i ka në krah çdo ditë, duke filluar nga Ilir Beqja, i cili po hetohet nga SPAK dhe deri te ministrja aktuale, Ogerta Manastiliu, e cila ka bërë namin me tendera të dyshimtë gjatë pandemisë, duke përfshirë edhe ata që ju ka dhënë biznesmenëve të lidhur me Ndrangheta!