Bashkim Kosovë-Shqipëri? Spiropali: Çështje që kërkon bisedime. Pollo: Çdo shqiptar do ta donte

Shqipëria

Bashkim Kosovë-Shqipëri? Spiropali: Çështje që kërkon bisedime. Pollo: Çdo shqiptar do ta donte

Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 19:12
Genc Pollo

Bashkimi Kombëtar i Kosovës dhe Shqipërisë është një çështje që kërkon shumë bisedime.

Kështu u shpreh ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, pas deklaratës së Albin Kurtit në Euronews se do të votonte pro bashkim kombëtar mes dy vendeve.

“Është një çështje e cila do shumë bisedime, do mirëkuptim nga të dyja palët. Ne e kemi shprehur dëshirën për mirëkuptim, por dhe dëshirën për bisedime, për afrim sa më të madh, jo vetëm të legjislacioneve, por edhe të memorandumeve të bashkëpunimit, që nga arsimi, shëndetësia e gjithçka tjetër, sepse një gjë është e qartë, Shqipëria dhe Kosova duhet të përfarohen në të gjitha nivelet dhe duhet të bashkëpunojnë si dy shtete që kanë një qëllim të përbashkët”, u shpreh Spiropali në Euronews Albania.

Ndërsa numri dy i socialistëve, Taulant Balla tha se rruga Kosovës dhe Shqipërisë është në Bashkimin Europian.

“Këto lloj konceptesh bëhen pjesë e proceseve të integrimit europian, sepse dhe Albini duhet të jetë shumë i qartë që këto nuk janë çështje për të bërë deklarata të karakterit populist, sa kohë që asnjë lloj forme e ndryshimeve të kufijve nuk gjen pranueshmërinë e aleatëve të Shqipërisë.

Shqiptarët në këtë anë të kufirit dhe në atë anë të kufirit do të bashkohen në rrugën drejt Brukselit”, u shpreh sekretari i përgjithshëm i PS, i ftuar në emisionin Ilva Now.

Ish-zëvendëskryeministri Genc Pollo u shpreh se deklarata e kreut të Vetëvendosjes është hipotetike, pasi në plan të parë janë reformat për Kosovën.

“Albin Kurti ka thënë që në rast se do ketë një referendum, nuk ka thënë që do bëjë ai një referendum, ai do të votonte pro dhe çdo shqiptar me zemër, fare mirë mund ta thoshte këtë gjë.

Ajo që di unë, është që Albin Kurti çështjet e brendshme të reformave dhe të masave të nevojshme i ka vënë në plan të parë. Ne i urojmë të gjithë sukses në qëllimet që ka shpallur”, u shpreh ish-zëvendëskryeministri Genc Pollo

Një ditë më parë, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti deklaroi se po të zhvillohej një referendum për bashkimin Kosovë-Shqipëri, ai do të votonte pro. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat