Nuk do të ishte çudi që versionet e reja të koronavirusit të jenë tashmë në Shqipëri. Kështu u shpreh mjeku shqiptar në Londër, Ledion Shapo gjatë një interviste në “Radari Informativ”.
Për mjekun nuk është normale që prej dy javësh janë dërguan mostra në Berlin dhe në Britaninë e Madhe dhe ende nuk kemi një përgjigje. Sipas tij, përgjigjet duhej të ishin gati për 5 deri në 8 ditë, ndërsa shtoi se shpreson që ky informacion të jetë i disponueshëm sa më shpejt.
“Shpresoj që së shpejti të bëhet prezent, ç’ka dalë nga analizat. Për një vend si Shqipëria besoj se duhet të ketë qenë urgjencë.”
Ndërsa, duke folur për variantin britanik të Covid-19, Shapo tha se ky muatcion përhapet 30 deri në 50 për qind më shpejt dhe tek grup-mosha që janë disi të shkujdesura. Versioni britanik i koronavirusit është edhe më agresiv se origjinali.
“Është parë se me variantin origjinal shtroheshin në spital 1 person në 1000 veta, kurse me variantin e ri u shtruan në spital 13 nga 1000 persona të një grup-moshe të caktuar. Kanë vdekur grup-moshat e rrezikuara nga ky variant.”
Sipas tij, veç tre mutacioneve të njohura tashmë, janë edhe të tjerë në qarkullim që po studiohen. Variantet e vjetra njihen nga vaksina dhe nga imuniteti i organizimit…Varianti i Afrikës së Jugut është më i zgjuar në mënyrën sesi operon, sesi futet dhe atashohet në qelizë.”
Kurse, i pyetur për skemën që ka ndjekur Britania e Madhe lidhur me grupet e riskut që do të vaksinohen, dhe vendimit të marrë nga kryeministri për të vaksinuar personalitetet, Shapo tha se prioritetet ndahen në bazë të sa vaksina disponon.
“Sido që është bërë ndarja. Struktura dhe listimi bazohet në grupe prioritete të rriskuara. Në prioritete, në varësi të sa doza vaksina keni, këto prioritete mund të axhustohen.”