Vaksinimi i personaliteteve, Moisiu: Do ta bëj të dielën

Shqipëria

Vaksinimi i personaliteteve, Moisiu: Do ta bëj të dielën

Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 22:52
Alfred Moisiu

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot nga Vlora se të dielën do të nisë në Shqipëri vaksinimi i kategorisë së personaliteteve, mbi 80-vjeç, ndërsa nuk dha detaje se mbi çfarë kriteresh janë përzgjedhur emrat që do të marrin dozat.

E ndërsa ende nuk dihet lista e plotë, abcnews mësoi se pjesë e saj do të jetë edhe ish-presidenti Alfred Moisiu, 92-vjeç. Në një prononcim ish-kreu i shtetit e konfirmoi faktin që ministria e kishte njoftuar. “Po, më ka njoftuar, ditën e diel në orën 09:30 për të bërë vaksinën te stadiumi “Air Albania” tha ai.

Por a do të pranojë të vaksinohet? “Po, sigurisht” tha ai. Alfred Moisiu vlerëson vendimin e qeverisë. “Duket se kanë vendosur drejt, pasi mosha jonë, sikur thotë populli një “saçme kërkon”. Është moshë që e përballon me vështirësi një sëmundje të tillë. Mendoj që është vendim i drejtë”.

Ish-presidenti kritikon qytetarët për faktin që nuk respektojnë masat anti-covid, por edhe partitë politike që po i shkelin në takimet elektorale. “Populli është i padisiplinuar, rrinë pa maska, që është një mjet i domosdoshëm për t’u mbrojtur.

E dyta distanca nuk mbahet. Shikoj edhe veprimtaritë politike që shkelen me të dyja këmbët, është shembull shumë negativ, duhet dënuar me rreptësi” tha Alfred Moisiu.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat