Rriten ndjeshëm aksidentet rrugore në janar/ Fajtorë drejtuesit e mjeteve

Shqipëria

Rriten ndjeshëm aksidentet rrugore në janar/ Fajtorë drejtuesit e mjeteve

Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 08:30
Ilustrim

Pas një përmirësimi në 2020-n, kryesisht si rrjedhojë e kufizimeve të lëvizjeve nga pandemia, janari i këtij viti ka sjellë një rritje të ndjeshme si të aksidenteve rrugore, ashtu dhe të plagosurve e viktimave të shënuara.

Sipas INSTAT, Në muajin Janar2021 numërohen 125 aksidente rrugore nga 93 aksidente të ndodhura në muajin Janar 2020, duke u rritur me 34,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në muajin Janar2021, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 165 persona nga 122 që ishte një vit më parë, duke u rritur me 35,2%. Në muajin Janar2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 22 persona nga 17persona të vdekur në Janar 2020.

Në muajin Janar2021, aksidentet rrugore, në 80,0% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34vjeç, duke zënë 28,0% të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë rritur me 45,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e aksidenteve rrugore është shënuar nga të gjitha moshat, por rekordin e mbajnë të rinjtë nën 24 vjeç (+145%) dhe grupmosha 35-44 vjeç (+100%).

Nga 22 humbje jete nga aksidentet në janar, 18 janë meshkuj dhe 4 femra. Në krahasim me janarin e një viti më parë ka një rënie të ndjeshme të viktimave femra nga aksidentet (-33%) dhe rritje të meshkujve (63.6%).

Rekordin për numrin e aksidenteve e mbajnë Tirana dhe Durrësi, ndërsa humbjet më të mëdh atë jetëve janë shënuar në qarkun e Lezhës (6), Fierit (4) e Vlorës (3).

Viti 2020 u mbyll me 20 për qind më pak humbje jete nga aksidentet në raport me një vit më parë. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave për aksidentet reflektojnë efektin e karantinës kur u vu re një rënie e numrit të aksidenteve për shkak të kufizimit të lëvizjeve.

Në vitin 2020, numërohen 1.234 aksidente rrugore nga 1.498 aksidente të ndodhura në vitin 2019, duke u ulur me 17,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i të aksidentuarve në vitin 2020, është 1.598 persona nga 2.044 persona, duke u ulur me 21,8 %, krahasuar me vitin 2019.

Në vitin 2020, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 181 persona nga 227 persona në të njëjtën periudhë të një viti më pare” njoftoi INSTAT.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat