Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta lëshoi sot sërish akuza të forta ndaj qeverisë për mënyrën e përballimit të pandemisë së COVID 19 dhe procesin e vaksinimit.
Presidenti Meta akuzoi qeverinë se “nuk ka një plan të qartë, transparent dhe të sigurt të furnizimit të popullatës me vaksina” e për pasojë sipas tij “vendi rrezikon një katastrofë epidemiologjike me pasoja të rënda për jetën e shëndetin e qytetarëve”.
Kreu i Shtetit kërkoi një rishikim të buxhetIt të Shtetit për t’I dhënë një mbështetje më të madhe sektorit të Shëndetësisë, pasi sipas tij “qendrat shëndetësore dhe shërbimet reanimatore nuk mund të lihen pa pajise jetëshpëtuese dhe pa barnat e domosdoshme”, sikundër dhe “mjekët e familjes dhe infermierët në qendrat shëndetësore nuk mund të lihen pa pajisje mbrojtëse” tha ai.
Qeveria nga ana e saj ka replikuar shpesh ndaj kritikave të ndryshme të kreut të Shtetit duke deklaruar se ai thjesht "po bën fushatë për ish partinë e tij Lëvizja Socialiste për Integrim".
Autoritetet kanë theksuar se i qëndrojnë planit për realizimin e vaksinimit të plotë brenda 14 muajsh. Deri më tani janë kryer afro 4 mijë vaksinime, ndërsa brenda muajit mars pritet të mbërrijnë afro 40 mijë doza të vaksinës Pfizer./VOA