Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish arrestimin e gjyqtares së Krujës, Enkeleda Hoxha, Gjatë një bashkëbisedimi në Fier, Rama e ka cilësuar gjyqtaren që lironte kriminelët si “Tiren e drejtësisë”.
“Çështja është që të krijojmë triumfin e drejtësisë në sistem. Pastrimi i llumit që ishte në drejtësi nuk është fjalë goje. Vettingu ka bërë një pastrim radikal. Ka akoma. Sot me sigurti ka ndodhur ndonjë krim në ndonjë gjykatë. Por ama ka ndodhur diçka shumë e rëndësishme. Një gjykatëse përfaqësuese e këtij llumi është sot para hekurave. Është dhënë mesazhi shumë i qartë nga institucionet e reja të drejtësisë që këtu ka një limit.
Po ashtu goditja që u bë ishte shumë e pështirë të shikoje Tiren dhe të tjerët, por ama lajmi i mirë është që janë prapa hekurave. Tirja nuk është një fenomen i kësaj pandemie, është fenomen i pandemisë së korrupsionit në 30 vjet”, tha Rama.
Kryeministri iu përgjigj edhe mjekut Edvin Prifti, ndërsa shtoi se arrestimet nuk janë elektorale.
"Ashtu sikurse edhe liberali i djathtë që thotë se më kanë fut në burg se jam i djathtë, bashkë me disa analistë që predikojnë se këto qenkan goditje elektorale, se çlidhje kemi ne me elektoralen, vetëm këta e dinë", tha Rama.
Rama u kërkoi shqiptarëve të kemë durim, pasi reforma në drejtësi do japë rezultate.
"I mirëkuptoj ata që ndihen të zhgënjyer nga reforma në drejtësi. Por nëse kemi durim do të kuptonin se sot është koha më shumë se kurrë që shqiptari duhet të ketë besim dhe shpresë. Nuk bëhet drejtësia duke thënë pse nuk fut në burg dhe atë. Nuk jemi në vitin ’45”, tha Rama.