Prej ditësh numri i të shëruarve nga koronavirusi është më i ulët se i të infektuarve të rinj, situatë e cila po pasohet me më shumë të shtruar në spitale. Kapacitetet spitalore po shkojnë drejt ezaurimit. Ministria e Shëndetësisë raporton se ka mbi 600 të shtruar në 4 spitalet Covid në Tiranë dhe dy repartet Covid në spitalet rajonale. Në rritje kanë ardhur dhe rastet e rënda.
“Ne kemi një shtim të numrit të rasteve prej disa ditësh, shumica që paraqiten janë forma të mesme e të rënda, por një pjesë e madhe e rasteve janë forma shumë të rënda që do të thotë se këto raste vijnë pasi kanë qëndruar mbi dy javë në kushte shtëpi një pjesë trajtuar ambulatorisht dhe një pjese e madhe pa trajtuar. Vijnë në gjendje shumë të rëndë, një pjesë e këtyre rasteve përfundojnë në terapi intensive”.
Ditët e fundit, rastet më të mëdha janë tek moshat e reja.
“Moshat variojnë, kemi mbi 35 vjeç. Mund të themi një mesatare mbi 45 vjeç, por moshat i kemi të variueshme nga më të rejat deri në 92 vjeç”.
Spitali Covid 1 është ai që mban dhe peshën më të madhe të rasteve të rënda.
“Një pjesë e rasteve i nxjerrim të shëruar nga spitali. Rastet që janë më mirë i nxjerrim në shtëpi që nuk kanë nevojë për oksigjeno-terapi, një pjesë tjetër të rasteve që janë në stade më të përmirësuara, i kalojmë në Covid 3 dhe 4 , ndërsa rastet më rëndë i mbajmë në shërbim”.
Në 24 orët e fundit në pavijonin e dedikuar Covid në spitalin e Durrësit numërohen 53 pacientë dhe 10 persona të shtruar në urgjencë me shenja klinike, por në pritje të tamponit.
Ndërsa në spitalin rajonal në Shkodër nuk ka patur asnjë shtrim të ri. Aty po trajtohen 14 pacientë me Covid.