Pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019 në Shqipëri gjithnjë e më tepër iu kushtua rëndësi kushteve sizmike për ndërtimin, teksa prej 30 vitesh vijon të ndërtohet me KTP e vitit 1989, edhe pse shtetet e tjera Hartën sizmike e përditësojnë çdo 5-6 vjet.
Së fundmi, me një vendim të qeverisë, në vijim të ligjit “Për Mbrojtjen Civile” të miratuar në Kuvend në korrik të 2019-s, është përcaktuar se çdo subjekt zhvillues duhet të bëjë studimin, i cili para se të kalojë për leje dhe pasi të ketë bërë studimin duhet të kalojë për oponencë dhe dhënie mendimi edhe në Departamentin e Sizmologjisë në IGJEUM.
Kjo ndodh për herë të parë në Shqipëri dhe është pasqyruar dhe në ndryshimet e ligjit për urbanistikën. Edhe pse në vitin 1998 në ligjin për Urbanistikën ka pasur si kërkesë të tij pajisjen e subjekteve për leje ndërtimi me vërtetim të intensitetit sizmik, ai ligj u shfuqizua në 2011.
Në një lidhje Skype për “Wake Up”, sizmologu Edmond Dushi ka treguar edhe zonat me rrezik më të lartë sizmik në Shqipëri.
“Zonat më probabël për rrezik të lartë sizmik janë; zonat jugperëndimore e vendit dhe zona jugore në tërësi, zona bregdetare deri në kufi me bregdetin e Malit të Zi apo pjesa e Shkodrës veriperëndimore dhe pjesa nga Lushnja drejt Elbasanit, që janë si zonat më të spikatura.
Pastaj, i gjithë territori i vendit ka natyrshmërisht edhe rrezikun e vet sizmik në përputhje edhe me aktivitetin sizmik të ndodhur ndër vite”, sqaroi sizmologu.