Një tjetër person është bërë pjesë e listës së të dyshuarve për vrasjen e Hekuran Billës më 11 qershor të vitit të shkuar.
Bëhet fjalë për një ish-të paraburgosur, të cilit i është marrë kampioni i ADN-së dhe do të krahasohet me atë që është gjetur në mjetin ku udhëtonin atentatorët, të cilët i prenë rrugën Billës. Në kohën që u vra Billa, i paraburgosi ishte i lirë.
Më pas ai u arrestua për një tjetër vepër penale. Identiteti i të dyshuarit nuk bëhet me dije për shkak të sekretit hetimor, ndërkohë që mësohet se ai ndodhet në burgun e Reçit në Shkodër.
Si ndodhi ngjarja
Hekuran Billa u ekzekutua më 11 qershor pranë “Qendrës Kristal” në Tiranë. Në orën 21:48 të së enjtes, biznesmenit iu pre rruga teksa udhëtonte me mjetin e tij, të llojit ‘BMW X6’, nga ekzekutori, i cili dyshohet se është vëllai i Prel Markut, Viktori.
Ky i fundit qëlloi me armë zjarri në drejtim të tij, dhe iu deshën vetëm 3 sekonda për të vrarë biznesmenin. Në vitin 2006 Billa kishte ekzekutuar me armë zjarri 22-vjeçarin Prel Marku, ngjarje për të cilën ishte dënuar me burg të përjetshëm, por u lirua nga gjykatat shqiptare.
Pikërisht ky krim, dyshohet se solli edhe vrasjen e Billës nga familjarët e Markut, që pritën 14 vite për tu hakmarrë. Por pavarësisht akuzave të ngritura, Viktor Marku e ka mohuar autorësinë e krimit.