Ditën e djeshme pala greke shtyu sërish afatin e hapjes së doganës së Kapshticës deri në datën 8 mars, 2021, si pasojë e shtimit të rasteve të reja me koronavirus.
Lidhur me këtë vendim, ka reaguar edhe ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e cila njofton se vendimi për shtyrjen e afatit të bllokimit është marrë nga qeveria greke, në kuadër të masave të marra mbi përballimin e situatës së krijuar, për shkak të pandemisë COVID-19.
Për pasojë, deri më datë 8 mars, dalja nga Shqipëria dhe hyrja drejt Greqisë nëpërmjet kësaj pike kalimi, do të vijojë të jetë e mbyllur.
Ndërsa dalja nga Greqia dhe hyrja drejt vendit tonë, do të jetë e lejuar nga ora 06:00 deri në orën 22:00, vetëm për këmbësorët dhe mjetet e tonazhit të rëndë (kamiona mallrash).
Mjetet si autobusa, taksi, apo çdo mjet tjetër i transportit të pasagjerëve, nuk do të lejohet të kalojë.