Mbrëmjen e djeshme Blendi Fevziu ia kushtoi emisionin e tij, “Opinion”, koalicionit të Partisë Demokratike me aleatët e saj tradicionalë dhe koordinimit me LSI-në, e cila do të dalë me një koalicion tjetër.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, duke folur në lidhje me koalicionin e arritur mes Partisë Demokratike dhe 13 partive të tjera opozitare për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ka thënë se qëllimi i koalicionit është maksimalizimi i votës së opozitës.
Ndërsa i ndalur tek ndarja e listës mes LSI dhe PD, ai tha se sipas studimeve të bëra prej tyre, kjo ishte mënyra më e mirë që opozita të përfitojë më shumë vota.
Edhe nënkryetari i LSI, Petrit Vasili shprehet se forca politike që përfaqëson i ka siguruar mandatet në të gjitha qarqet e vendit, përveç ati të Kukësit, ku LSI dhe PD do bashkojnë listat për të maksimalizuar votat.
Vasili deklaroi gjithashtu se programet e LSI dhe PD, do të bashkohen për të sjell një produkt më të mirë për Shqiptarët pas zgjedhjeve të 25 prillit.
“LSI i ka siguruar mandatet në të gjithë qarqet e republikës, me përjashtim të qarkut të Kukësit. Dhe ka siguruar duke konkurruar e vetme. Në Kukës do të kemi një taktik elektorale. Ne do kemi listën tonë se është detyrim ligjor. Do të kemi dhe një taktik elektorale që mbështet dhe kandidatët e koalicion që kryesohet nga PD. LSI dhe PD i kanë të qarta objektivat e tyre”, tha Vasili
Në fund të emisionit Blendi Fevziu zbuloi edhe të dhënat e sondazhi në Opinion me pyetjen: “Si e merr Opozita rezultatin më të lartë në zgjedhje?”.
Pas dy orësh votimi online, shifrat treguan se vendimi i LSI dhe PD për dy koalicione opozitare në zgjedhje mbetet vendimi që maksimalizon votat kundër kryeministrit Rama.
Pas sondazhit rezultoi se 66.84 % janë pro këtij vendimi dhe mendojnë se fitorja me këtë taktikë elektorale është e sigurt.