Oborri i institucionit të Kempit Epror është mbushur me qytetarë që prej orëve të para të mëngjesit të së premtes.
Ata presin me orë, por përgjigjet e dosjeve vonojnë prej më shumë se një viti.
Këta prindër kanë ardhur për vajzën e tyre 13 vjeçe, e cila ka problem me shikimin.
Pavarësisht se ajo vuan prej disa vitesh me shikimin, kempi për vajzën nuk u është miratuar.
“Që prej nëntorit tjetër kam kërkuar.”
Dokumentet i kanë dorëzuar në institucion prej shumë kohësh dhe ndërkohë mungesa e asistencës sociale e ka bërë të pamundur marrjen e ilaçeve për kurimin e 13 vjeçares.
“Vajzës ia kam hequr syrin komplet. Ka edhe tjetrin me probleme. Të paktën sa për jetën e saj, se s’kam lekë t’i marr ilaçet se janë më shumë se 20 mijë lekë. Ka gati 1 vit që i ka pastruar syrin, se s’kam lekë t’ja pastroj.”
Njoftimi për tu paraqitur pranë këtij institucioni u është dërguar disa personave, por edhe ata janë në pritje prej 1 viti.
“Herën e parë na thanë që është puna e koronës, tani ka një vit që na kanë thënë që të marrim dosjen vetëm me anë të avokatit.”
Përfaqësuesit e këtij institucioni thonë se vonesat po shkaktohen nga situata e pandemisë dhe se nuk do të ketë asnjë humbje pagesash për ata që kanë dorëzuar dosjet, pasi vlerësimi do të bëhet bazuar në datën kur janë dorëzuar dokumentet.