Presidenti Ilir Meta ka mbështetur thirrjen e kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi që partitë politike të dorëzojnë brenda afatit listat e kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit.
“Mbështes plotësisht thirrjen e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, z.Ilirjan Celibashi, drejtuar partive politike, për të dorëzuar brenda afateve listat e kandidatëve”, shkruan Meta në një postim në Facebook.
“Sa më shumë parti, sa më shumë zgjedhje të ndryshme për qytetarët, sa më shumë kandidatë me integritet të lartë moral e qytetar dhe të pa kapur nga dekriminalizimi, do të thotë më shumë mundësi për një pjesëmarrje historike në referendumin e 25 prillit për të ardhmen europiane të Shqipërisë”, shprehet më tej kreu i shtetit.
8 marsi është edhe afati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputet për çdo qark.
Sakaq sot Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim firmosën marrëveshjen e koalicionit për zgjedhjet e 25 prillit.
Në këto zgjedhje, këto parti do të dalin me dy lista.