Është arrestuar drejtuesi i mjetit që përplasi për vdekje një 69-vjeçar mbrëmjen djeshme në Bulqizë.
Aksidenti ndodhi në vendin e quajtur Gjoricë, ku 69-vjeçari me inicialet R. R., i cili po ecte në këmbë, u përplas për vdekje nga një makinë tip “Benz”, që drejtohej nga një person me inicialet N.D..
Ky i fundit u largua menjëherë nga vendngjarja, por u arrestua vetëm disa orë më vonë nga policia.
Ja njoftimi i plotë i policisë:
Bulqizë
Shkaktoi aksident me pasojë vdekjen e 69-vjeçarit, shoqërohet në Komisariat drejtuesi i mjetit i cili pas aksidentit u largua nga vendi i ngjarjes.
Rreth orës 20.00, në vendin e quajtur Gjoricë, (në segmentin e rrugës së Arbërit që është akoma kantier ndërtimi) shtetasi N. D., duke drejtuar automjetin tip ‘Benz’, dyshohet se ka goditur shtetasin R. R., 69 vjeç, i cili për pasojë ka humbur jetën.
Shërbimet e Policisë pas ndjekjes dhe kontrollit të zonës, kanë gjetur dhe shoqëruar në Komisariatin e Policisë Bulqizë, drejtuesin e automjetit i cili pas aksidentit u largua nga vendi i ngjarjes.
Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e shkaqeve të plota të ngjarjes.