Byroja e Kuvendit ka vendosur t’i ndërpresë dietat deputetëve. Në vendimin e marrë në mbledhjen e fundit është caktuar se përgjatë fushatës zgjedhore, ligjvënësit nuk do të kenë përfitime si pagesë telefoni, rimbursim karburanti apo bonus qiraje.
Vendimi është i përkohshëm dhe do të shtrihet përgjatë periudhës 25 mars deri në 25 prill. Trajtimet ekstra të deputetëve do të rinisin sërish pas përfundimit të zgjedhjeve e deri në fund të kësaj legjislature.
“Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për periudhën e fushatës zgjedhore, 25 mars-25 prill 2021 nuk do të përfitojnë shpenzimet e karburantit, dietat brenda vendit dhe qiranë e banesës. Përjashtim do të bëhet vetëm në rast se gjatë kësaj periudhe Kuvendi do të zhvillojë veprimtari në komisione parlamentare/ seancë plenare.
Për periudhën nga data 26 prill 2021 deri në përfundim të legjislaturës së IX-të të Kuvendit deputetët do të trajtohen sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi”, thuhet në vendimin e Byrosë.