Më 20 dhjetor 2013 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli datën 3 mars si Ditën Botërore të Jetës së Egër, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi kafshët dhe bimët e egra.
Këtë vit aktivitetet zhvillohen me temën “Ruajtja e jetës në Tokë”. Sipas të dhënave statistikore në Shqipëri janë prezent mbi 80 lloje gjitarësh dhe mbi 320 lloje shpendësh.
Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, tha sot se, “me vendosjen e moratoriumit të gjuetisë së paligjshme dhe moratoriumit të prerjes së pyjeve në Shqipëri ka pasur një rritje të këtyre specieve”.
“Kjo ditë na kujton nevojën për të vazhduar ndërgjegjësimin dhe angazhimin kundër krimit mjedisor, i cili ka impakte të mëdha në ekonomi, mjedis dhe shoqëri”, tha Klosi.
Në Shqipëri janë prezent mbi 80 lloje gjitarësh dhe mbi 320 lloje shpendësh. Objekt i këtij inventarizimi fillimisht u caktuan 30 specie, të cilat janë parë si objekte gjuetie dhe disa të tjera si të kërcënuara apo të rëndësishme të mbrojtura nga Konventat ndërkombëtare, ratifikuar nga Shqipëria.
1. Ariu i murrmë
2. Macja e egër
3. Rrëqebulli
4. Lundërza
5. Dhia e egër
6. Kaprolli
7. Baldosa
8. Ujku
9. Çakalli
10. Derri i egër
11. Lepuri i egër
12. Dhelpra
13. Zardafi/Kunadhja gushëverdhë
14. Shqarthi/Kunadhja gushëbardhë
15.Kryekuqe e madhe
16. Kryekuqe qafëgjelbër
17. Grilla
18. Rosa bishtgjel
19. Rosa e përhime
20. Sqepluga
21. Marsatorja
22. Shapka e ujit
23. Bajza
24. Thëllënxa e malit
25. Pëllumbi i egër
26. Shapka
27. Turtulli
28. Shkurta
29. Lauresha
30. Pelikani kaçurrel
Gjatë inventarizmit janë vënë re edhe 27 specie të tjera, prej të cilave janë përzgjedhur edhe specie për t’u inventarizuar gjatë këtij viti në habitatet e Prespës, Pogradecit dhe liqenit të Shkodrës (ky proces realizohet me mbështetjen e GIZ), por edhe në lagunat bregdetare, ku mund të përmendim:
1. Shqiponjën
2. Kryekuqja e vogël
3. Mjellma
4. Karabullaku i madh
5. Karabullaku i vogël
6. Pelikani rozë
7. Çafka e bardhë/ e përhime
8. Flamengo
9. Pulëbardha
10. Dallëndyshja e detit