Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi u pyet edhe mbi deklaratën e sotme të kryeministrit Edi Rama, i cili, në një dalje për mediat nga selia e PS, u shpreh se në zgjedhjet e 25 Prillit synon minimalisht 78 mandate dhe maksimalisht 88.
Sipas Kryemadhit, para se të futet në matematikë, ku pretendoi se është më e mirë se kryeministri, ajo e ftoi shefin e mazhorancës ti thotë shqiptarëve se çfarë u bë me premtimet e fushatave të shkuara.
Beti Njuma: Sot pasdite, kryeministri Rama, në cilësinë e kryetarit të PS, ka folur minimumi për 78 mandate, maksimumi 88. Nuk janë numra filxhanësh, thotë ai. Ju sa synoni?
Monika Kryemadhi: Po le të marrë 188 ai me mendjen e vet. Unë do dëshiroja të jepte përgjigje një herë ai i hapi apo jo 300 mijë vendet e punës që u premtoi shqiptarëve? A e uli çmimin e energjisë? A i uli taksat e shqiptarëve? A ju rriti pagat? A krijoi vende të reja pune? A krijoi klimë biznesi? A solli investime të huaja? A u krijoi mundësi shqiptarëve për të investuar në Shqipëri?
Tu kthente përgjigje këtyre, që shqiptarët nuk i morën kurrë dhe pastaj të fillonte e të bënte llogaritë matematikore. Për një gjë të jemi të saktë dhe të qartë: përsa i përket matematikës jam içik më mirë se zoti Rama. Zoti Rama e ka mbyllur matematikën që në klasë të dytë.