Ambasadorja amerikane, Yuri Kim nga Elbasani ka paralajmëruar se procesi i verifikimit të kandidatëve për deputetë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe prokuroria mund të sjellin s’kualifikim nga gara. Ambasadorja Kim iu referua këtu ligjit për dekriminalizimin që ndalon kandidimin për deputet.
Diplomatja amerikane thekoi se SHBA ka mbajtur qëndrim shumë të qartë duke u bërë thirrje disa herë partive që të zbatojnë ligjin dhe të mos përfshijnë në listat e tyre persona të inkriminuar, duke shtuar se pjesa më e madhe e kanë marrë në konsideratë këtë, por jo të gjitha.
“Tashmë është detyrë e KQZ dhe prokurorëve që të bëjnë shqyrtimin dhe vetingun e kandidatëve dhe pas këtij procesi nuk është për t’u habitur që disa kandidatëve mund të s’kualifikohen”, deklaroi znj. Kim.
Ambasadorja shtoi më tej se “fuqia përfundimtare qëndron tek votuesit” duke iu referuar sistemit zgjedhor ku përveç partisë do të votohet dhe për kandidatët.
Shit-blerja e votës ishte një tjetër çështje që prekur ambasadorja Kim ku nënvizoi se kjo është e dënueshme me ligji dhe u bëri thirrje autoriteteve që t’ua vështirësojnë punën atyre që do të tentojnë një gjë të tillë.
“Kam dëgjuar që blerja e votës është një problem në Elbasan por jo vetëm në Elbasan. Do t’u thosha atyre që po përpiqen të blejnë vota që jeni duke shkelur ligjin dhe jeni duke turpëruar nderin tuaj. Për ata që u kërkohet të shesin votën, u them që vota është pushteti juaj ndaj mos e dorëzoni. KQZ do të ndalojë kategorikisht telefonat në qendrat e votimit. U kërkoj autoriteteve që ta bëjnë më të vështirë shitjen e votave”, tha Yuri Kim.